Përplasjet për Butrintin/ Gjiknuri akuzon për shpifje Shehajn: Asnjë lidhje familjare me personin e përgojuar

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri i ka cilësuar shpifje akuzat e deputetit të PD, Agron Shehaj se familjarë të tij janë shpallur investitorë strategjik në parkun e Butrintit.
Teksa Agron Shehaj përmes një postimi në facebook akuzon Gjiknurin se djali i xhaxhait të tij ka përfituar një pjesë të parkut të Butrintit për të ndërtuar resort, Gjiknuri siguron se asnjë familjar i tij nuk ka përfituar nga kjo pronë dhe se personin që Shehaj përmend, nuk e ka djalë xhaxhai. Gjiknuri shprehet se do ta padisë deputetin demokrat për shpifje dhe do të kërkojë dëmshpërblim prej tij.
“E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëherë Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cenim të qëllimshëm të imazhit”, shkruan Gjiknuri!
Më herët deputeti i PD-së, Agron Shehaj pohoi se një pjesë e parkut arkeologjik të Butrintit po i jepet kompanisë “Manastir Resort”, që sipas tij zotërohej nga familjarët e Gjiknurit, konkretisht nga djali i xhaxhait.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




