Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë/Dhjetëra të plagosur, mbi 2 mijë të arrestuar, mbyllen qindra shkolla
Protestat masive të nxënësve të shkollave të mesme janë përshkallëzuar në Francë duke u përhapur në të gjithë vendin. Lëvizja, e cila filloi javën e kaluar në rajonin e Parisit ka përfshirë kryesisht maturantë të cilët kanë bllokuar hyrjet e institucioneve arsimore dhe janë përleshur me policinë, pasi kërkojnë kushte më të mira.
Mes shqetësimeve të tyre janë oraret e zgjatura të mësimit, mbipopullimi në klasa, mungesa a e mësuesve si dhe kushtet e papërshtatshme të ventilimit, vështirësi që e hasën kryesisht gjatë verës për shkak të temperaturave të larta. Qeveria franceze thotë se ankesat e tyre janë të ligjshme, por dhuna është e papranueshme.
Ministri i Arsimit Edouard Geffray tha se lëvizja e nxënësve të shkollave të mesme po mbahet peng nga grupe ekstremiste ultra të dhunshme, duke shtuar se gati 400 shkolla të mesme nga 3700 në vend janë mbyllur këtë të premte. Shumë shkolla të mesme kanë planifikuar gjithashtu të zhvillojnë mësim nga distanca, veçanërisht në qytetin jugor të Marsejës.
“Të paktën 65 anëtarë të stafit janë plagosur, përfshirë 40 drejtorë shkollash të mesme, që nga fillimi i lëvizjes”- konfimoi ministri i Arsimit. “Prindërit duhet t’u thonë fëmijëve të tyre të mos bëhen pjesë e protestave. Ajo që ka rëndësi tani është të sigurohemi që fëmijët tanë të mos jenë më në rrugë, sepse ata janë në rrezik.”- theksoi ai.
Ministri i Drejtësisë Gerald Darmanin tha se u ka kërkuar prokurorëve që t’i ngarkojnë me përgjegjësi prindërit për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre gjatë protestave, duke paguar edhe për riparimet e tyre. “Që nga fillimi i lëvizjes, rreth 2 mijë persona janë arrestuar nga policia, 90 përqind e të cilëve janë të mitur”- deklaroi Darmanin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





