Pezullimi i dinarit serb, zëdhënësi i DASH: Kurti të marrë seriozisht qëndrimin e SHBA-ve

Rajon | 3 vite më parë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel ka deklaruar se është në interes të të gjithë palëve që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të marrë seriozisht qëndrimin e SHBA-ve në lidhje me vendimin e  Prishtinës për pezullimin e dinarit serb.

“Ne duam të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme në dialog dhe gjithashtu besojmë se kjo është në interesin më të mirë të të gjitha palëve”, tha ai në konferencën për shtyp.

I pyetur se çfarë i jep Departamentit të Shtetit besimin se Kurti do ta marrë seriozisht thirrjen e SHBA-së për Prishtinën që të rishqyrtojë vendimin e Bankës Qendrore për pezullimin e dinarit serb në transaksionet e pagesave, ai shprehu besimin se “angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet e sinqerta në mirëbesim të Kosovës dhe Serbia do të sjellë përfitime të qëndrueshme për qytetarët, duke përfshirë rritjen ekonomike dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë rajonal”.

Departamenti i Shtetit i kujtoi kryeministrit Kurti zotimet ligjërisht të detyrueshme të Kosovës. Zëdhënësi i kërkoi Kosovës që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ASM), duke theksuar se ASM është mekanizmi primar për Serbinë që në mënyrë transparente të ofrojë mbështetje financiare brenda kornizës ligjore të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme