Pista e “Formula 1” në Elbasan, Rama: Jemi në hapin e fundit përpara firmosjes

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ardhja e “Formula 1” në Shqipëri është vetëm në hapin e fundit përpara firmosjes. Deklaratën Rama e bëri në podkastin “Flasim”, ku i ftuar ishte Gentjan Shaqiri, kampion në sistemin e FIA-s për të gjithë zonën e Europës Qendrore në motorsport.

Rama tha se ka patur kontakte deri në nivelin më të lartë të “Formula 1”, ndërsa u shpreh besimplotë se kjo marrëveshje do të arrihet.  

“Do të jemi i pari vend në zhvillim që hyn në “Formula 1” dhe ky është rezultat i asaj që ka ndodhur me Shqipërinë dhe me rritjen e reputacionit dhe respektit për Shqipërinë. Është rezultat i një pune të bërë në nivelin e gjithë atyre lidhjeve që ka mundësuar që njerëzit ta shohin Shqipërinë me sy tjetër. Mendoj që ne i kemi arritur këto por nuk them kurrë që mbaroi derisa s’ka mbaruar. Kjo për mua vlen për çdo punë. Jemi në hapin e fundit përpara firmosjes dhe me ndihmën e Zotit besoj do të ndodhi. Është një koncept që na është vlerësuar shumë nga “Formula 1”. Ne kemi pasur disa kontakte deri në nivelin më të lartë të “Formula 1”. Është një koncept shumë interesant sepse nuk është thjesht një cirkuit për gara, është një park ku në zemër të këtij projekti do të jetë siguria rrugore”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, ky projekt do të jetë një motor ekonomie i shtuar për vendin.

“Ky është ai momenti që e ka bërë projektin tonë shumë atraktiv dhe që na ka vendosur në sediljen e parë, pasi kërkesat për të marrë “Formula 1” janë shumë. Është nga të gjitha sportet, që një garë e shikojnë 1 miliard njerëz. Kjo për Shqipërinë dhe Elbasanin, llogarit sa prej tyre mendojnë që vitin tjetër do të shkojnë në Shqipëri. Është sfiduese për infrastrukturën hoteliere, por është një motor ekonomie i shtuar për vendin”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme