Plotësohen mbi 50% e kuotave në Shkencat e Natyrës, rriten kërkesat për matematikën, biologjinë dhe kiminë
Interesi për programet që ofron fakulteti i Shkencave të Natyrës është rritur për këtë vit. Dekania e këtij fakultetit Eglantina Kalluçi sqaron se në total janë ezuaruar mbi 50% te kuotave.
“Kemi më shumë regjistrime, Vjet kemi mbyllur rreth 490 student ndërkohë këtë vit kemi 520 student të regjistruar brenda raundit të parë”, u shpreh Kalluçi.
Ndryshe nga një vit më parë konstatohet edhe një rritje e kërkesës për degët e matematikës, biologjisë dhe kimisë.
“Përgjithësisht, shkencat fundamentale kanë qenë ato që kanë tërhequr më shumë vëmendjen e medias, por edhe të opinionit të gjerë, sepse kanë pasur një kërkesë në rënie. Ky vit vjen ndryshe, pasi matematika ka pasur dyfishim të interesit, si në aplikime, ashtu edhe në regjistrime. Biologjia gjithashtu ka pasur një interes në rritje. Profilet e degëve të kimisë kanë ardhur në rritje”, tha ajo.
Interes të lartë kanë pasur kryesisht në degët ka më shumë mundësi punësimi , por edhe për ato programe ku studentet përfitojnë 2 diploma.
“Riorganizimi i programeve të studimit, në fakt, është bërë në bashkëpunim me biznesin. Pra, ka qenë interesi dhe koherenca me të cilën ne kemi vijuar me këto programe, për shkak të interesit që ka ardhur nga tregu i punës. Prej tre vitesh ka një program studimi Bachelor, që është diplomë e dyfishtë në Shkenca Natyrore dhe Mjedisore, në bashkëpunim me Universitetin e Tuscias në Itali. Në fakt, ky është një program i cili këtë vit ka shfaqur shumë interes nga studentët e huaj”, theksoi Dekania.
Raundi i dytë dhe i tretë do të përmbushi kryesisht pjesën e mbetur te kuotave, duke dhënë një panorame të qartë të gjitha programeve të studimit ato ekzistuese, por edhe ato të riorganizuar një vit më parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




