Pogba, Barcelona hidhet në sulm

Barcelona do të forcohet dhe ndjeshëm madje për sezonin e ardhshëm. Falë marrëveshjes multimilionere me kompaninë “Spotify”, klubi katalanas përgatit një goditje të madhe dhe mes emrave më të përfolur është edhe mesfushori i Manchester United, Paul Pogba. Presidenti Joan Laporta mund të marrë frymë lirisht pasi paratë në arkën e katalanasve janë dhe sipas “Daily Star”, ai ka vendosur në shënjestër francezin si një nga lojtarët e mundshëm për të zgjedhur transferimin në Barcelonë.
Agjenti i lojtarit, Mino Raiola ka nisur kontaktet me klubin iberik edhe pse nuk e ka mbyllur ende derën plotësisht edhe për Juventusin. Gjithsesi, oferta e Barcelonës e josh dhe jo pak Pogba që në Spanjë do të niste një eksperiencë të re, ndryshe nga ato italiane dhe angleze ndërsa në klubin katalanas do të bashkohej edhe me mikun e tij të vjetër, Pierre-Emerick Aubameyang.
Kolosi suedez “Spotify” që tashmë e ka nënshkruar kontratën me Barcelonën për të qenë sponsor zyrtar në fanellën e skuadrës së Xavit, do të derdhë rreth 300 milionë euro në arkën e blaugranave që gjithsesi, një pjesë të tyre duhet ta përdorin për të ulur sa më shumë borxhin që e kalon vlerën e 1 miliardë eurove. Pogba te United përfiton rreth 15 milione euro në sezon ndërsa në të shkuarën, interes për të ka shfaqur edhe Real Madrid.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




