Polemika rreth aktit normativ për ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujrave të zeza

Qeveria shqiptare ka miratuar një akt normativ për vendosjen e impianteve të përpunimit të ujrave të zeza për të gjtha subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike pranë zonave bregdetare, liqeneve apo lumenjve.
Por një përfaqësi e Shoqatës së Industrisë së Turizmit nga Saranda e Ksamili, kanë nënshkruar një peticion ku kundërshtojnë këtë akt. Sipas tyre kostoja e vendosjes se impianteve dhe koha e vënë në dispozicion për ndërtim është shumë e shkurtër.
Akti normativ detyron të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike pranë zonave bregdetare, liqeneve apo lumenjve, të instalojnë impiante për trajtimin e ujërave të zeza brenda 3 muajve të ardhshëm. Bizneset të cilat nuk zbatojnë ligjin, do të ndëshkohen me gjobë deri në heqjen e licencës të ushtrimit të veprimtarisë. Ndërsa atyre që janë në proces ndërtimi, do t’u refuzohet leja. Subjektet të cilat kapen me shkelje, do të gjobiten me një gjobë që mund të variojë nga 15 mijë euro në 26 mijë euro.
Aktualisht në Shqipëri numërohen 16 impiante masive të trajtimit të ujërave të ndotura. Ato kanë kushtuar mbi 112 milionë euro, por nuk kanë mjaftuar për të pastruar ujërat e zaza. Vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullatës.
Situata bëhet edhe më problematike kur autoritetet synojnë të tejkalojnë numrin prej 10 milionë turistësh të cilët alokohen më së shumti në zonën bregdetare dhe ku higjena duhet të jetë në nivelin më të lartë.
Gazetare Amela Koçerri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




