Policia e Shtetit paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese: Kërkojnë pagesa gjobash apo detyrimesh administrative

Aktualitet | 5 muaj më parë

Policia e Shtetit ka njoftuar sot se shumë qytetarë kanë raportuar marrjen e mesazheve mashtruese, përmes të cilave u kërkohet të kryejnë pagesa për gjoba apo detyrime të pretenduara si të papaguara. Menjëherë pas denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas Policisë, mesazhet janë pjesë e një skeme mashtrimi të njohur si “Smishing”, ku qytetarëve u dërgohen lidhje (linke) që i drejtojnë në faqe interneti të falsifikuara, të ndërtuara për të imituar faqet zyrtare të institucioneve shtetërore. Qëllimi i autorëve është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare, të cilat më pas mund të përdoren për transaksione të paautorizuara dhe vjedhje fondesh nga llogaritë bankare.

Policia sqaron se rreziku lind vetëm në momentin kur qytetarët klikojnë mbi lidhjet mashtruese dhe plotësojnë të dhënat e tyre bankare, si numrat e kartës, kredencialet e internet banking-ut apo kodet e sigurisë. Vetë marrja e një SMS-je nuk përbën rrezik për fondet bankare.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të paverifikuara, të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve. Në rast se kanë plotësuar të dhëna në faqe të dyshimta, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre dhe të raportojnë rastin pranë Policisë.

Policia e Shtetit thekson se vijon monitorimin dhe hetimin e kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa fton qytetarët të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj çdo komunikimi elektronik që kërkon të dhëna personale apo financiare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme