Porti i Durrësit/ Rama: Durrsakët të shohin fytyrën e armiqve të së ardhmes! Alibeaj: Po vjedh pasurinë e qytetarëve

Politikë | 4 vite më parë

Kushdo që akuzon projektin e Portit të Durrësit, për kryeministrin Rama janë persona që nuk duan ta shohin qytetin bregdetar në majë të mundësive, por në plehra.

Duke e cilësuar projektin e Portit të Durrësit si nga investimet më të mëdha në Ballkan, Rama thotë se kjo do e kthejë qytetin në një nga destinacionet kryesore turistike në Mesdhe.

Për Ramën kushdo që del kundër saj janë armiq të së ardhmes së Durrësit.

“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra. Numri i maskaragjozllëqeve që po thuhen për projektin madhor të Portit Turistik të Durrësit, si edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912”, shkruan Rama në Twitter.

Edhe një ditë më parë Rama tha se ky investim do jetë një krenari kombëtare dhe se ata që janë tërbuar janë “non gratat dhe spiunit” që financohen me para ruse. 

Deklaratat e Ramës kanë hasur kundërshtinë e kreut të grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se me projektin e Portit të Durrësit qeveria po u vjedh pasurinë qytetarëve për t’i dhënë klientëve të saj.

“Përrallat me transformime të mëdha dhe investitorë strategjikë janë të njëjtat me ato që u thotë shqiptarëve për inceneratorët. Për gati 9 vjet Edi Rama u ka ofruar qytetarëve pallavra për investime ndërsa u ka vjedhur atyre pasurinë publike. Ua ka vjedhur duke ua bërë dhuratë miqve dhe klientëve të tij. Projekti i portit të Durrësit është dështimi dhe grabitja e radhës së kësaj qeverie që veç largimit i duhet të japë llogari dhe për abuzimet pa fré me pasuritë e shqiptarëve”, shkruan Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme