Pr.ligji për “Informacionin e klasifikuar”/ Drejtori i DSIK: Hapja e dosjeve të Sigurimit do bëhet rast pas rasti

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka marrë në shqyrtim projektligjin “Për Informacionin e klasifikuar” që ka për qëllim mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nga humbja, dëmtimi, rrjedhja, komprometimi dhe/ose ekspozimi i paautorizuar.
Disa prej deputetëve kanë pasur pikëpyetje nëse me anë të këtij pr.ligji do të hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit. Kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se projektligji nuk specifikon se çfarë do ndodhë me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Në korrik një pjesë e deputetëve të PD kanë depozituar një amendament me anë të të cilit synojmë që të adresojmë një çështje që ka interes public dhe që është çështja e hapjes së dosjeve të Sigurimit, deklasifikimi i dosjeve. Shoqëria sot ka nevojë që të njohë të shkuarën e vet për shumë arsye, për të parë se cilët kanë qenë viktimat e sistemit dictatorial, por edhe për një arsye tjetër për të hequr njëherë e përgjithmonë psikozën, modelin e shantazhit që përdoret duke u bazuar te dosjet e sigurimit dhe që aplikohet edhe në politikë. nuk ka zgjidhje më të mirë për të ushtruar shantazh politik me hapjen e dosjeve se sa të deklasifikohen. Nga qeveria ka ardhur projektligji i ri, nuk shoh nga ana e qeverisë të ketë trajtuar çështjen e deklasifikimit të dosjeve. Nuk është secret që të dhëna sensitive të shtetit shqiptar janë në duar të pasigurta. Mediat përditë po nxjerrin të dhëna, fakte, emaile, foto. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme që duhet të preokupojë sigurinë kombëtare. Ky projektligj duhet të na mbrojë nga mosrrjedhja e informacionit të klasifikuar. Çfarë ka ndodhur? Cilat kanë qenë arsyet dhe masat e marra nga qeveria shqiptare për të parandaluar atë se çfarë ka ndodhur? Unë shoh që nga ana e qeverisë nuk sillet asnjë masë legjislative e shtuar që të jetë në funksion të asaj që ka ndodhur”, tha Alibeaj.
Në fjalën e saj deputetja e PS, Ermonela Felaj adresoi një pyetje ndaj Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, nëse hapja e dosjeve cenon sigurinë kombëtare.
“Nuk ka dokumente të përjetshme, por pas kalimit të një afati të caktuar mund të njihesh me përmbajtjen e një informacioni. Ka nevojë për të sqaruar disa pyetje: nëse informacioni është klasifikuar nga një institucion që nuk ekziston më, kush e bën deklasifikimin? A e gjeni me vend që disa institucione, punonjësit e tyre, të pajisen me certifikatë sigurie? Punonjësit e AKSHI-t, a duhet të jenë të gjithë pajisur me certifikatën e sigurisë personale? Ne nesër do kemi në diskutim ligjin për Autoritetin e Dosjeve, një ndryshim që është propozuar në atë ligj, dhe ka kolegë të opozitës që kanë bërë propozimin për deklasifikimin në bllok të të gjitha dokumenteve të krijuara nga ish-sigurimi i shtetit për periudhën kur është krijuar Shërbimi Informativ Shtetëror deri në 1991. Deklasifikimi në bllok mendoni se mund të cënojë sigurinë kombëtare? A duhet ta vlerësojë Autoriteti i Dosjeve deklasifikimin rast pas rasti?”, u shpreh Felaj.
Drejtori i DSIK, Dorian Tola sqaroi se nëse një institucion pushon së ekzistuari, është një institucion tjetër që trashëgon fondin arkivor dhe I nënshtrohen procesit të deklasifikimit. Tola thekson se deklasifikimi do të bëhet rast pas rasti dhe jo në bllok.
“Kur është shuar një institucion, është një institucion tjetër që trashëgon të gjithë fondin arkivor. Kemi rastin e dokumenteve të Komitetit Qëndror që kaluan te Arkiva dhe atyre iu nënshtruan procesit të deklasifikimit. Ka gjithmonë një institucion që i trashëgon dokumentet. Deklasifikimet në bllok janë delikate. Edhe te propozimi që është bërë ka një kusht: nëse cënohet siguria kombëtare apo prek një partner. Paraprakisht ka një proces vlerësimi nëse ky informacion nëse del cënon apo jo sigurinë kombëtare. Ka shtete që i kanë deklasifikuar në bllok. Ne kemi zgjedhur një deklasifikim të kontrollueshëm, rast pas rasti, me kujdes”, tha Tola.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



