Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të Austrisë në Shqipëri

Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Austrisë në Shqipëri, Monica Zach.
Presidenti Begaj pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadores austriake, së cilës i uroi suksese përgjatë shërbimit diplomatik në Shqipëri, duke i shprehur mbështetjen e tij dhe të autoriteteve shqiptare.
Gjatë bisedës u vlerësua niveli i lartë e i shkëlqyer i marrëdhënieve shqiptaro-austriake dhe u theksua njëherazi nevoja për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes fuqizimit të rolit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik për zgjerimin e tregtisë, investimeve dhe turizmit.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Austrisë për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë në Shqipëri nëpërmjet projekteve konkrete në shumë fusha, si: në drejtësi, arsim e mbrojtje, për lobimin përgjatë procesit të integrimit në BE, kontributin ndaj Kosovës përmes KFOR-it, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




