Presidenti Begaj pritet nga kryeministri Talat Xhaferi: Të rrisim bashkëpunimin në sektorin energjetik dhe turizmit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shkup zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e përgëzoi z. Xhaferi për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë si të drejta dhe të pakontestueshme.
Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtet formimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Presidenti Begaj i cilësoi si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e energjisë dhe të turizmit.
Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha.
Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, – theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj shprehu besimin se do të vijohet në këtë mënyrë drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve, me anëtarësimin në BE.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




