Presidenti Begaj viziton Sarandën

Sociale | 4 vite më parë

Presidenti Bajram Bega ka bërë thirrje  bashkëpunim mes pushteteve dhe institucioneve kushtetuese, për të garantuar që të gjithë qytetarët të dëgjohen dhe të mbështeten.

Deklaratën e tij zoti Bega e bëri nga Saranda, ndalesa e tij e dytë gjatë turit në jug të Shqipërisë.

Presidenti zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të bizneseve dhe komunitetit.

“Është e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim mes pushteteve, mes institucioneve, për të garantuar që të gjithë qytetarët të dëgjohen dhe të mbështeten”, tha Presidenti Begaj në takimin me kryetarin e bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.

Presidenti i garantoi kryetarit të bashkisë se do të kishte të gjithë mbështetjen e Kreut të Shtetit për të adresuar çdo shqetësim nëse do të ishte e nevojshme.

Presidenti Begaj vizitoi dhe gjimnazin “Hasan Tahsini”, një gjimnaz i spikatur i Shqipërisë, ku u takua me stafin pedagogjik, si dhe nxënësit e gjimnazit.

Duke iu drejtuar nxënësve, Presidenti tha se “e ardhmja e vendit varet pikërisht nga ju. Siç është edukimi sot, do të jetë Shqipëria nesër. Merrni në dorë fatin tuaj, fatin e vendit”.

Presidenti Begaj bëri thirrje për një vëmendje maksimale nga të gjitha institucionet në drejtim të edukimit.

Presidenti vizitoi gjithashtu dhe spitalin e Sarandës “Petro Nako”, ku falënderoi mjekët për dedikimin dhe përkushtimin ndaj pacientëve.

Gjatë takimeve në Sarandë, Presidenti Begaj u takua dhe me përfaqësues të bizneseve, për t’u njohur më mirë me të gjitha problematikat në këtë sektor, si dhe me ish-ushtarakë.

Presidenti Begaj vizitoi dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, një pasuri që i përket jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë botës dhe që e bën Sarandën një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme