Presidenti Biden mbërrin në Poloni

Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti të premten në Poloni, pas një takimi në Bruksel me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, njofton Zëri i Amerikës.
Dy udhëheqësit njoftuan formimin e një grupi pune të përbashkët për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile ruse.
Presidenti Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur të ardhurat që ka siguruar nga shitja e energjisë për të furnizuar makinerinë e tij të luftës në Ukrainë. Ai theksoi se populli amerikan nuk do të ishte pjesë e subvencionimit të luftës brutale dhe të pajustifikuar të Vladimir Putinit kundër popullit ukrainas.
Nga ana e asaj zonja Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në kundërshtimin e luftës brutale të Rusisë, e cila siç tha ajo, do të jetë një dështim strategjik për Presidentin Putin.
Këtë vit Shtetet e Bashkuara do t’i japin Evropës 15 miliardë metër kub gaz natyror të lëngshëm.
Gjatë qëndrimit në Poloni, Presidenti Biden do të vizitojë Rzeszów-in (Zhezhovin) një qytet në veri të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Polonia, një vend i NATO-s, ka marrë rreth 2 milionë refugjatë ukrainas.
Të enjten në mbrëmje vonë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi, tha se sipas autoriteteve ukrainase forcat ushtarake ruse po bombardonin pikat e kontrollit në Slavutiç, një qytet ku jetojnë kryesisht ata persona
që punojnë në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet aty pranë. Zoti Grossi shtoi se situata po rrezikon jetën e tyre dhe po e bën të pamundur rotacionin e mëtejshëm të personelit në impiant.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




