Presidenti Biden rezulton negativ në testin për Covid-19, pas sulmit të dytë

Presidenti i SHBA Joe Biden, ka rezultuar negativ në testin për Covid-19, pasi mori një sulm të dytë nga virusi, thotë mjeku i tij. Biden, 76 vjeç, u testua për herë të parë pozitiv për virusin më shumë se dy javë më parë. Ai kishte qenë në izolim për herë të dytë pasi mori atë që mjeku i tij e përshkroi si një rast “rikthimi”.
Ai do të vazhdojë të izolohet derisa të ketë një test të dytë negativ , tha Dr Kevin O’Connor. Dr O’Connor shtoi se “presidenti vazhdon të ndihet shumë mirë”. Zoti Biden – i cili është plotësisht i vaksinuar dhe ka marrë dy herë injeksione përforcuese – së pari doli pozitiv për Covid-19 më 21 korrik. Ai rezultoi negativ gjashtë ditë më vonë, vetëm për t’u testuar sërish pozitiv më 30 korrik.
Në një deklaratë të mëparshme, Dr O’Connor tha se presidenti po merrte ilaçin antiviral Paxlovid, i cili mund të çojë në rikthim të virusit në një përqindje të vogël të njerëzve që e marrin atë. “Presidenti përjetoi simptoma të buta gjatë kohës që kishte virusin, duke përfshirë rrjedhjen e hundës dhe lodhjen, dhe vazhdoi të punonte ndërsa ishte në izolim”,- tha Shtëpia e Bardhë.

Ai është planifikuar të vizitojë shtetin jugor të Kentakit – i cili është shkatërruar nga përmbytjet. Zoti Biden është presidenti i dytë i SHBA-së që infektohet nga Covid-19 gjatë kohës që është në detyrë. Paraardhësi i tij, Donald Trump, u shtrua në spital për tre ditë në tetor 2020, pasi u sëmur nga virusi. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri më sot, ka pasur 91.8 milionë raste Covid në SHBA dhe më shumë se një milion vdekje. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




