Presidenti i ri, Balla: U zgjodh sipas Kushtetutës! Spiropali: I denjë për Shqipërinë!

Politikë | 4 vite më parë

Bajram Begaj, i zgjedhur si presidenti i ri i Shqipërisë ka krijuar debate në seancat plenare. Kryetari i grupit të PS Taulant Balla u shpreh se presidenti u zgjodh sipas Kushtetutës. Drejtuar opozitës Balla tha se nuk e mbajtën fjalën pasi premtuan që nuk do të bojkotonin.

“Mendoj që Kuvendi i Shqipërisë përgjatë këtij procesi ka bërë gjënë e duhur sipas Kushtetutës duke vendosur disa standarde që duhet të vlejnë për proceset e ardhshme. Keqardhje e madhe për bojkotin e një pjese të opozitës. Frika nga vota është diçka që mendoj që partia kryesore e opozitës, PD duhet t’i largohet. Kaq shumë bojkote e kanë dëmtuar PD. Edhe disa që gjoja bënë Kuvende dhe bënë deklarata se nuk do bojkotojnë kurrë e  mbajtën fjalën për tri javë. Si tha ajo vesi del me shpirtin, kuptuam kush e  kishte pasur këtë frymëzim për bojkote. Duhet të kuptojmë që opozita duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësi dhe se bojkoti është fyerja më e madhe dhe opozita i detyrohet një ndjesë të madhe qytetarëve”, tha ai.

Nga ana tjetër ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali tha se Partia Socialiste zgjodhi një president të denjë për Shqipërinë.

“Si deputete dhe ministre e PS dhe deputete e grupit të negociatave do të them disa të vërteta që dua t’i ndaj me ju. Ne tentuam të respektojmë frymën e Kushtetutës që kërkonte një presidenti mbi palët. Nuk kishim asnjë prapavijë tjetër. Na keqkuptuan vetëm ata që nuk donin të na kuptonin. Hodhën gurë mbi durimin tonë dhe nga pozitat e pafuqisë dhe të arrogancës vendosën kushte pas kushte. Ata flisnin me ne po e kishin mendjen te personazhi (Berisha) që foli para këtu. Ishte kaq e dhimbshme derexheja ku ishin futur. E vetmja gjë mund t’i jepte fuqi ishte serioziteti në tryezë dhe mençuria në propozim. Asnjërën dhe as tjetrën nuk patën”, tha Spiropali.

Ish kryeministri Sali Berisha duket se nuk është pajtuar me faktin që Presidenti Ilir Meta firmosi nga Turqia dekretin për lirimin nga detyra të ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj.

“Mu kujtua Ali Pashë Tepelena, trupi në Janinë, koka në Stamboll”, tha Berisha.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme