Presidenti i ri, partitë arrijnë konsensusin: Më 10 maj nisin procedurat, duhet një kryetar shteti i të gjithë shqiptarëve

Politikë | 5 vite më parë

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka rënë dakord që më datë 10 maj të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo datë është arritur me konsensus të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se raundi i parë i votimit për presidentin e ri duhet të mbahet më 16 maj, por që përfundimisht do të vendoset më 10 maj në mbledhjen e radhës së Konferencës së Kryetarëve.

Kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla tha se Partia Socialiste është e  gatshme që të negociojnë me të gjitha grupet parlamentare që janë në Kuvend. 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, tha se mazhoranca nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur e vetme Presidentin. “2 ish deputetë pas hekurave dhe të tjerë në pikëpyetje kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur. Nuk po zgjedhim në përfaqësues të PS por një individ që do të ketë detyrën për të ruajtur Kushtetutën, integritetin, sovranitetin për 5 vitet e ardhshme”, tha zonja Tabaku

Deputetja socialiste Elisa Spiropali tha se ata presin që opozita të propozojë emra konkretë për kandidatët për presidentin e ri të vendit dhe jo diskutime për procedura. 

“Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Në të gjitha fazat e diskutimeve e kemi bërë të qartë se nuk dëshirojmë të zgjeshim një president të PS-së, por të Republikës. E kemi pasur një president që nuk na nderon. Kemi rënë dakord që të nisim procesin, por kemi shprehur se kemi gatishmërinë. Të dyja këto shkojnë bashkë dhe për ne janë të lidhura pazgjidhshmërisht.  Nëse duhet këto takime ti bëjmë së bashku. Presim nga ju të marrim emra dhe jo diskutime për procedura, të cilat mund t’i keni shtyrë për arsyet e juaja të brendshme. Ne duhet të vijmë që në raundet e para me emra” tha Spiropali.

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, nga ana e saj tha se se me procesin e saj me zarfe të mbyllur, mazhoranca nisi një proces jo transparent. Sipas saj duhet që opozita të bëjë propozimet e para.

“Duhet të kishte qenë e udhës që të kalohej stafeta tek emrat e opozitës”, tha Duma.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve, tha se Kushtetuta e imponon zgjedhjen e Presidentit me konsensus. Sipas tij duhet dhënë kohë për procesin.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se data 10 maj të jetë dita kur të nisë procesi për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Alibeaj kundërshtoi propozimin e socialistëve, ku theksoi se data 10 maj mos të jetë data për raundin e parë të zgjedhjes së presidentit. Alibeaj tha po ashtu se diferenca kohore mes raundeve të jetë 7 ditë.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla është dakordësuar me kërkesën e Enkelejd Alibeajt, që procesi për nisjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit të nisë me datën 10 maj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme