Presidenti i ri, Sali Berisha: Do votoj kundër çdo kandidati të Ramës, duhej zgjedhur nga opozita

Politikë | 4 vite më parë

Sali Berisha, kryetari i PD i zgjedhur nga procesi i ‘Rithemelimit’, në një konferencë për media ka ngritur një sërë shqetësimesh, duke nisur nga rritja e çmimeve të produkteve dhe karburanit, rezolutën për genocidin serb dhe procesin për zgjedhjen e presidentit. Lidhur me këtë të fundit, Berisha ka deklaruar se në seancën plenare të 4 qershorit, për raundin e katërt për votimin e kandidatit për President, nuk do pranojë asnjë emër të propozuar nga mazhoranca, ndonëse kjo e fundit ka në dorë propozimin dhe votimin e kandidatit me 71 vota. Berisha ka paralajmëruar votën kundër kandidaturës së propozuar nga mazhoranca.

“Ne nuk i njohim të drejtë legjitimi Ramës duke marrë parasysh batërdinë  e madhe në zgjedhjet, bashkë me patronazhistët. Ne besojmë se do të ishte e drejtë një president i zgjedhur nga opozita. Rama do që të marrë marrë 100 % të pushteti të tij njësoj si Aleksandër Lukashenko. Marrja e Presidencës do t’i japin një pushtet. Ne do të jemi aty dhe do të votojmë kundër”, tha Berisha.

Më tej ai ka kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të Bordit të Transparencës pasi sipas tij janë shndërruar në vegël të qeverisë. Ao theksoi se politikat e ndjekura nga Rama kundrejt shqiptarëve janë ‘kambanë alarmi’.

“Mjafton t’iu rikujtoj këtu se çmimi i naftës dje në Maqedoninë e Veriut ishte 1.85 lekë, këtu 2.48, pra 250 lekë në Shqipëri. Cmim i tillë nafte nuk ekziston kund në Evropë dhe botë, përvecse në xhisikun e Edi Ramës, që shpiku këtë mekanizëm, duke dhunuar Kushtetutën dhe ligjet për të plaçkitur qytetarët e vet. Të dhënat e politikave që ndoqi Rama ndaj shqiptarëve janë tepër alarmante. Ju keni lexuar se këto ditë organet më prestigjioze të kujdesit për fëmijë kanë dhënë alarmin se 300 mijë fëmijë shqiptarë kërcënohen për ushqimin e tyre të përditshëm. Shqipëria nuk mund të ketë dhe asnjë vend i lirë nuk mund të ketë borde të cilat të kontrollojnë tregun për llogari të qeverisë. Aty vetëm paguajnë. Çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedh sa më shumë qeveria me klientelën e vetë. Menjëherë kërkoj ndërprerjen urgjente të veprimtarisë së tyre. U bëj thirrje anëtarëve të bordit të japin dorëheqjen menjëherë të mos shndërrohen vegël antikushtetuese e një qeverie, e cila është shndërruar e njohur si organizatë kriminale.”, tha Berisha.

Një tjetër çështje e ngritur nga Berisha para gazetarëve ishte dhe rezoluta për dënimin e genocidit serb në Kosovë, e cila nuk u pranua nga mazhoranca për t’u futur në rend dite në Kuvend. Berisha thekson se Rama përdhosi ekzekutimin e mbi 10 mijë fëmijëve, grave e burrave të masakruar nga serbët.

Berisha bëri me dije se do t’i kërkojë Partisë Demokratike që të angazhohet në një debat me qytetarët që sipas tij, do t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë.

“Çështja e dytë e një rëndësi e jashtëzakonshme është qëndrimi i Edi Ramës ndaj rezolutës të dorëzuar nga ne në parlament për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë. Refuzimi nga qeveria aktuale, pseudomaxhoranca aktuale për të denoncuar gjenocidin serb në Kosovë është një akt makabër antikombëtar. Është një përdhosje, ekzekutim për së dyti i mbi 10 mijë fëmijëve, grave, burrave, të cilët u masakruan në vitet 1998-1999 në suazën e operacionit ‘Patkoi’, që kishte qëllim dhunën masive, masakrat dhe përzënien masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky akt i Edi Ramës dëshmon qartë se Tirana nuk është gjë tjetër veçse një Beograd i vogël dhe se jo interesat kombëtare të shqiptarëve, por interesat çnjerëzore ekspasioniste të Beogradit janë preferenca dhe përparësia e Edi Ramës. Kjo situatë po shkon drejt një drame të vërtetë. Nuk ka patriotë shqiptarë, nuk ka qytetarë të vërtetë shqiptarë që mund të pranojë rreshtimin e Tiranës me Beogradin në qëndrimin ndaj gjeonicdit serb në Kosovë. Një qëndrim të tillë mbajti Edi Rama dhe 3 javë më parë me rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Imagjinoni pra, se kush qeveris këtë vend. Mbrojtja e gjenocidit dënohet me vendim ndërkombëtar.

Mohohet gjenocidi, qindra –mijëra të rënë, shpirta të vdekur dhe kjo për shkak të vasalitetit absolut të Edi Ramës ndaj Vuçiç. Ka ardhur koha që çdo shqiptar të mendojë mirë për interesin e tij kombëtar, dinjitetin e tij kombëtar. Gjenocidi serb në vitin 2013, në zonën e Lumës, Krumës, Tropojës dhe Dibrës ka njohur formën më të egër të gjenocideve të kryera në LIIB. Kjo është e certifikuar nga Komisioni Ndërkombëtar i ngritur për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Megjithatë në rezolutën që dorëzuam, ne u ndalëm vetëm te gjenocidi i kryer nga Beogradi në vitet 1998-1999 në Kosovë. Por gjenocidi serb ndaj shqiptarëve është ciklik. ka filluar në 874 dhe mbaron në 1999. Me disa valë, me disa cikle. Kemi të bëjmë me një qeveri antishqiptare e cila qeveris vendin për interesa të Beogradit dhe kjo është patolerueshme. Dy janë shqetësimet më madhore të sotme, shushunjat, bordet e Edi Ramës që po boshatisin xhepat e shqiptarëve, shkelmimi i interesit kombëtar npërmjet mohimit të gjenocidit. Kam besimin më të madh që qytetarët do t’i japin dhe PD do të angazhohet, do t’i kërkoj të angazhohet në një debat me qytetarët për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie antishqiptare”, tha Berisha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme