Presidenti kinez takohet me Putin, Kremlini: Vlerësojmë planin kinez të paqes! SHBA: Kievi do ta refuzojë

Botë | 4 vite më parë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping është ulur për bisedime me homologun Vladimir Putin në Kremlin, duke nisur një vizitë të shumëpritur dy-ditore, për të diskutuar mbi propozimin e paqes të Pekinit për Ukrainën. Sipas BBC, udhëheqësi rus deklaroi se Kremlini ka studiuar propozimet e paqes prej 12 pikash të Pekinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, e menjëhershme ka qenë përgjigjja nga Shtëpia e Bardhë, duke deklaruar se nëse Kina propozon një armëpushim, Kievi do ta refuzojë atë”.

Po ashtu, SHBA-ja ka autorizuar 350 milionë dollarë (ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ndihma ushtarake përfshin municion për raketa, armë antitank dhe anije.

“Bota nuk duhet të mashtrohet nga asnjë lëvizje taktike e Rusisë, e mbështetur nga Kina ose ndonjë vend tjetër”, tha ai.

Blinken komenton vizitën shtetërore të Xi, duke thënë se “udhëtimi i tij në Rusi pas veprimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale sugjeron se Kina nuk mendon se Kremlini duhet të mbahet përgjegjës për mizoritë në Ukrainë”.

Kjo është vizita e parë e Xi në Rusi që kur trupat ruse pushtuan Ukrainën në vitin 2022, ndërsa udhëtimi po zhvillohet disa ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhër arresti për Presidentin Putin për krime të dyshuara lufte.

Vendet perëndimore kanë paralajmëruar më parë Pekinin që të mos furnizojë Moskën me armë.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme