Presidenti Meta takim me ambasadoren e Holandës në Tiranë, Guusje Korthals Altes

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Holandës në Tiranë, Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.
Pas takimit zoti Meta u shpreh se, “vlerësova kontributin e Ambasadores në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënvizova nivelin shumë të mirë të tyre dhe rëndësinë e forcimit më tej në dobi të dy vendeve tona veçanërisht në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve të huaja, ku Holanda zë një vend të rëndësishëm dhe në rritje”.
“Falënderova për mbështetjen e Holandës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, në veçanti për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë”, tha Meta.
“E falënderova Ambasadoren për ndihmën e Holandës, si për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ashtu edhe për ndihmën e vyer në përballimin e pasojave të COVID-19 në Shqipëri, nëpërmjet programit “UNICEF Albania”, theksoi presidenti Meta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




