Presidenti Meta takim me ministrin Linhart: Austria mbështet integrimin e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, ku u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve. Meta shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë që Austria i jep Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe me liberalizimin e vizave me Kosovën.
Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të ngrohtë Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Sh.T.Z. Michael Linhart.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë tradicionale mes dy popujve, si dhe shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Dimensioni i bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh mes dy vendeve fiton një rëndësi të posaçme, me Shqipërinë si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për periudhën 2022-2023.
Presidenti Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë dhe shumë të rëndësishme, që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, posaçërisht në hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




