Presidenti Meta: Të ndërpritet çdo nismë për rritjen e tarifave të koncesionit të metrologjisë së karburanteve!

Ekonomi | 5 vite më parë

Presidenti Ilir Meta i bëri të premten thirrje qeverisë së kryeministrit Edi Rama, që të ndërpresë menjëherë çdo nismë që synon të rrisë tarifat e koncesionit të metrologjisë së karburanteve.

“Ndaj plotësisht shqetësimin e ngritur nga Konfindustria, që i ka bërë thirrje Qeverisë të ndërpresë menjëherë çdo nismë që synon të rrisë tarifat e koncesionit të metrologjisë së karburanteve, që parashikohet t’i kushtojë biznesit dhe qytetarëve 70 milionë euro më shumë, nga vlera prej 140 milionë eurosh e koncesionit”, u shpreh Meta në një reagim.

Presidenti kujtoi se për këtë çështje, edhe më herët, është shprehur përmes një dekreti për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për metrologjinë”, që nuk u pranua nga mazhoranca.

Presidenti Meta kujtoi gjithashtu se ka informuar menjëherë edhe Prokurorinë SPAK, mbi faktet që sipas tij “mund të çonin në evidentimin e përgjegjësive penale për një nismë të tillë”.

Gjithnjë sipas kreut të shtetit me ligjn “Për metrologjinë”, u krijua hapësira për të ligjëruar ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues, mbrojtur konkurrencën e pandershme, shkaktimin e kostove shtesë për një shërbim që duhet të kryhet nga shteti i cili nuk mund të heqë dorë nga ushtrimi i përgjegjësive të tij.

Presidenti Meta shtoi se këto janë, “të gjitha në dëm të interesit publik, në cenim të interesave të konsumatorit deri në abuzim me të drejtat e tyre, si dhe në cenim të financave publike”.

Për këto arsye, zoti Meta nënvizoi se, “jo vetëm që e gjej të bazuar shqetësimin e ngritur nga Konfindustria, por i bëj thirrje Qeverisë dhe veçanërisht Ministrisë së Financave, të ushtrojë funksionet e saj publike, larg qëllimeve klienteliste, pa negociuar asnjë interes shtetëror publik në dëm të konsumatorëve dhe financave publike”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme