Presidenti Meta: Të pezullohet fiskalizimi, parlamenti të hetojë publikimin e pagave

Politikë | 5 vite më parë

Presidenti Ilir Meta, kërkon pezullimin e fiskalizimit, deri në dhënien e garancive të sistemeve elektronike të ruajtjes së të dhënave të shqiptarëve për sigurinë e tyre.

“Mbështes nismën e Konfindustrisë për pezullimin e përkohshëm të procesit të fiskalizimit të detyrueshëm për bizneset, deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave tregtare të bizneseve. Skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të qindra mijë qytetarëve shqiptarë në dhjetor 2021 drejtpërdrejt nga agjensia shtetërore përgjegjëse AKSHI, tregon problematikat e shumta të sotme të sigurisë së rrjeteve të informacionit”, thotë Meta.

Presidenti i referohet publikimit të pagave për t’u tërhequr vëmendjen institucioneve shtetërore.

“U tërheq vëmendjen institucioneve shtetërore, që në rastin e ngjashëm të mundshëm të rrjedhjes së të dhënave masive të siguruara në kohe reale nga procesi i fiskalizimit me detyrim edhe nga dhjetra kompani private ndërmjetëse, pasojat do të jenë shumë më të rënda sesa të skandalit të dhjetorit 2021. Në ketë rast pasojat do të jenë të rënda për mbi 120 mijë biznese, që rrezikohen nga penalizime gjyqësore në vlera të jashtëzakonshme për shtetin shqiptar, goditje në afatgjatë për ekonominë dhe deri në cenim të sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues”, shkruan Meta.

Meta kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për nxjerrjen e përgjegjësive për skandalin e publikimit të pagave.

“Mbështes gjithashtu kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për nxjerrjen e plotë dhe marrjen e përgjegjësive penale dhe financiare të institucioneve shtetërore dhe kompanive private, shkaktarë të skandalit të rrjedhjes në publik të të dhënave personale të qytetarëve dhe bizneseve në dhjetor 2021”, mbyll reagimin e tij Presidenti Meta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme