Prezantohet drejtuesja e re e IdentiTek, Hoxha: Prioritet projekti “Identiteti Digjital për Shtetasit Shqiptar”

Kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike “IdentiTek” do të ketë nga sot në krye një drejtuese të re, Freskida Halilajn, për të çuar më para projektet e nisura. Më i madhi ndër to, e kryesori, që nuk është vetëm objektiv i Ministrisë së Brendshme, por i Qeverisë, është Identiteti Digjital për Shtetasit Shqiptar.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi drejtuesen e re, në prani të stafit të kompanisë dhe Këshillit Mbikëqyrës.
“Falënderova me mirënjohje, drejtuesen e derisotme të këtij institucioni, Loina Prifti, për punën e bërë në drejtimin e “IdentiTek”. Falë përkushtimit të saj dhe stafit të kompanisë, kemi siguruar standardet e larta ndërkombëtare, të ruajtjes së të dhënave dhe prodhimit të dokumenteve biometrike”, theksoi ministri Hoxha.
Historia e prodhimit të dokumenteve biometrike në Shqipëri daton në maj 2009. Kompania koncesionare ushtroi aktivitetin deri në mesin e vitit 2023, kur përfundoi kontrata dhe qeveria vendosi të krijonte kompaninë shtetërore. Pas gushtit 2023, stafetën e mori “IdentiTek”, shoqëri me kapital shtetëror.
Kompania prodhon karta identiteti e pasaporta biometrike për shtetas shqiptarë, por njëherësh edhe pasaporta diplomatike e shërbimi. Ajo prodhoi gjithashtu dokumente udhëtimi, leje qëndrimi dhe letërnjoftim elektronik enkas për shtetasit e huaj me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose që kanë fituar statusin e refugjatit e kanë përfituar azil në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




