Primaret/ Berisha voton: Një ditë e madhe për PD, burim drite për demokracinë shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, votoi në Primaret e PD-së. Berisha e konsideroi ditën e sotme si më të rëndësishmen në historinë e demokracisë së vendit. Për Berishën, ky zhvillim është një rreze e fuqishme shprese për rivendosjen e votës së lirë në Shqipëri.
“Është një ditë e madhe për PD-në, është një burim drite për demokracinë shqiptare, kjo ditë në të cilën dhjetëra-mijëra anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, votojnë për qytetarin e parë të bashkisë së tyre.
Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht rëndësia e tij bëhet shumë herë më e madhe pasi vota e lirë ka në Shqipëri, një armik të egër të saj, një armik që përpunoi dhe zhvilloi të gjithë mekanizmat e plaçkitjes së saj, e grabitjes së saj, një armik që e përzuri përfundimisht votën nga partia e tij dhe shndërroi PS-në, e riktheu në origjinë, parti pa votë, parti e njishit, parti e mafias, parti potencialisht e terrorizmit, dhe të gjithë negativitetet që mund të ketë një komunitet që vepron si klub mafioz, si shpellë mafioze, dhe jo si komunitet i një bashkësie të lirë.
Edi Rama është i vetmi në Europë që ka përjashtuar votën e lirë nga partia e tij. Në këtë kontekst, ky zhvillim është një rreze e fuqishme shprese për rivendosjen e saj në Shqipëri.
Demokratët, duke votuar sot të lirë, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre për qytetar të parë të bashkive të tyre, shumëfishojnë forcat, shumëfishojnë energjitë për t’u përballur me kalbësirën që kanë përpara dhe që quhet regjimi i Edi Ramës, për të përmbysur monizmin që sundon në Shqipëri dhe bazohet në drogën, krimin, vjedhjen e votës.
Ky moment, ky zhvillim pas krijimit të pluralizmit politik në Shqipëri, shënon aktin më madhor në historinë e PD-së, pranimin e pluralitetit në gjirin e kësaj partie, shënon hapjen më të madhe në tërësi historinë e një force politike shqiptare”, tha Berisha.
Ka nisur, këtë të diel, procesi i votimit në Primaret e “Rithemelimit” të PD. Nga ky proces, pretendohet të zgjidhen kandidatët për kryetarë të 26 bashkive të vendit, ku do të garojnë për të përfaqësuar Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



