Primaret e grupit të Rithemelimit të PD-së, kush janë kandidatët për 6 bashkitë

Politikë | 5 vite më parë

Komisioni i Rithemelimit të PD, voton sot primaret për kandidatët për kryebashkiakë në 6 bashkitë e vendit. Procesi në 9 qendrat e votimit ka nisur prej mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri në orët e pasdites. Në një njoftim për shtyp, Komisioni i Rithemelimit të PD, bën me dije se procesi i votimit ka nisur i qetë dhe pa probleme dhe i bën thirrje anëtarëve të PD të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre në vendoret e 6 Marsit. 

“Të 9 Qendrat e Votimit (3 QV në Shkodër, 2 QV në Durrës, 1 QV në Dibër, 1 QV në Lushnjë, 1 QV në Rrogozhinë dhe 1 QV në Vorë) janë hapur në orën 8. Procesi i votimit ka nisur i qetë e pa probleme. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton cdo anëtar të PD në 6 degët e PD ku po zhvillohet procesi i votimit për Primare, të ushtrojë të drejtën e votës për të zgjedhur  përfaqësuesin e tyre në garën për kryetar bashkie. Primaret, si ushtrim i demokracisë së drejtpërdrejtë tashmë e kalojne vendimmarrjen te anëtarësia. Komisioni do të informojë në mënyrë periodike publikun në lidhje me ecurinë e procesit të votimit për Primare. Kandidatët që do të garojnë në primare për Dibrën janë Behar Dema, ekonomist, Dafina Muda, psikologe dhe Premtim Riza, arsimtar. Për të kandiduar për të parin e Durrësit do të garojnë, Ardian Muka, inxhinier urbanist dhe Silvja Gjepali, IT. Në Lushnje do të garojnë në primare, Arben Zaimi, jurist, Elton Bano, avokat, Eurion Iljazi, mësues i edukimit fizik dhe Indrit Qerimi po ashtu mësues i edukimit fizik. Për Rrogozhinën, kandidatët janë Eqerem Deliu, ekonomist, Hajrulla Tafa, mësues, Hekuran Xhani, mjek veterinar, Sokol Gosa, mësues histori-gjeografie, Vladimir Manushi, mjek dentist. Për primaret e Shkodrës, grupi i ish-kryeministrit do kandidojë Alfred Kocobashin, jurist, Arben Maliqi, po ashtu jurist, Astrit Bushati, jurist, Bardhi Spahia, mjek, Irena Shestani Shala, mjeke dhe Irma Alushi, pedagoge matematike. Dhe së fundmi, për Vorën do të garojnë inxhinieri Luan Gani dhe ekonomisti Lulzim Vrana”, informon komisioni i Rithemelimit të PD. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme