Primaret e Tiranës për Rithemelimin, Këlliçi dhe Alimehmeti shkojnë në balotazh

Primaret e Tiranës kanë shënuar një garë të fortë për dy kandidatët e Rithemelimit, Ilir Alimehmetin dhe Belind Këlliçin. Pas përfundimit të numërimit, Belind Këlliçi ka rezultuar më i votuari, por pa mundur të sigurojë gjysmën e votave të vlefshme, duke shkuar kështu në balotazh me mjekun Ilir Alimehmeti. Këlliçi dhe Alimehmeti janë dy ndër më të votuarit, ndërsa pas tyre vjen Gerti Bogdani, Julian Deda, dhe më pas Adriana Kalaja. Më pak të votuarit rezultuan Enkelejda Fejzo dhe Fatmir Merkoçi.
Në një reagim në rrjetin social Facebook pas përfundimit të procesit të numërimit, Alimehmeti ka falënderuar të gjithë mbështetësit që e kualifikuan për raundin e dytë të 11 dhjetorit.
“Pas një gare të bukur dhe pozitive me kolegë demokratë të nderuar, raundi i parë kaloi me balotazh. Faleminderit të gjithë juve që më mbështetët, më votuat dhe më kualifikuat për raundin e dytë më 11 dhjetor 2022! Faleminderit shpirtit të bukur të të rinjve që m’u bënë krahë në çdo moment! Sonte pushojmë, nesër rifillojmë!”, shkruan Alimehmeti.
Po ashtu, edhe deputeti Belind Këlliçi ka reaguar në rrjetin social duke shprehur mirënjohjen për të gjithë simpatizantët dhe demokratët që e votuan dhe i dhanë vlerë procesit të primareve.
“Për demokratët e Tiranës dhe simpatizanët që nderuan procesin me pjesëmarrjen e tyre, shpreh nga zemra të gjithë mirënjohjen time dhe të ekipit tim. I dhanë vlerë procesit dhe respekt kandidatëve. Faleminderit! Falenderoj komisionerët dhe vëzhguesit, të gjithë sa janë, për lodhjen dhe qëndrimin në shërbim të zgjedhësve nga mëngjesi i sotëm! Falenderimi i tretë i shkon numëruesëve dhe vëzhguesëve të secilit kandidat, që do të bashkohen për të verifikuar e numëruar çdo votë! Sytë i kemi nga ju. Çdo votë është një rrahje zemre. Falenderoj mediat, në veçanti gazetarët e terrenit, për orët e gjata të mbulimit mediatik të Primareve Bashkiake! E mbyll me një falenderim për të gjithë ata opozitarë shqiptarë, që na dhanë besim e që nuk i hapën derën e shtëpisë diversionit të kundërshtarit tonë të përbashkët. Jeni zemra”, shkruan Këlliçi në Facebook.
Rezultatet:
Belind Këlliçi – 4040 vota
Ilir Alimehmeti – 2196 vota
Gerti Bogdani – 1819 vota
Julian Deda – 157 vota
Adriana Kalaja – 128 vota
Enkelejda Fejzo – 66 vota
Fatmir Merkoçi – 35 vota
Votues gjithsej – 8470
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



