PROFIL/ Kush ishte Bujar Nishani, personi më i ri i zgjedhur president i Shqipërisë! 3 herë ministër dhe deputet në 2 legjislatura

Politikë | 4 vite më parë

Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare, i shtruar në një spital në Gjermani. Ai vuante nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i la COVID-19 përkeqësoi gjendjen e tij.

Nishani lindi në Durrës më 29 shtator 1964 dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, iu bashkua Partisë Demokratike duke u bërë deputet i saj dhe ka mbajtur një sërë postesh qeveritare dhe diplomatike.

Posti më i lartë ishte ai i Presidentit të Republikës, i 6-ti për Shqipërinë post komuniste, si dhe ka qenë 3 herë ministër dhe deputet në 2 legjislatura

Nishani mbajti postin e Presidentit nga 24 korrik 2012 deri më 24 korrik 2017. Nishani është personi më i ri që është zgjedhur president i Shqipërisë, në moshën 47-vjeçare në kohën e betimit.

Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Më pas me ardhjen në pushtet të PD, Nishani ka qenë ministër i Drejtësisë nga viti 2009 deri në vitin 2011 dhe si Ministër i Punëve të Brendshme nga viti 2011 deri në vitin 2012.

Gjatë kohës që ishte President, Bujar Nishani u fokusua në procesin e integrimit europian të vendit, forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe në mbështetjen për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale dhe ndërkombëtare.

Nishani ishte i martuar me Odeta Nishanin dhe kishte dy fëmijë, një djalë Ersi dhe një vajzë Fiona. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme