Programet e BE-së për të rinjtë, prioritetet kryesore mbeten investimet në arsim dhe punësim
Programi Erasmus+ është sot një nga urat më të forta që lidh të rinjtë shqiptarë me Bashkimin Europian. Përmes shkëmbimeve akademike, përvojave kulturore dhe aftësimit profesional, ky program ka krijuar për mijëra të rinj një mundësi reale për t’u njohur me standardet europiane të arsimit dhe punës.
“Erasmus+ është një nga programet më të shfrytëzuara nga të rinjtë dhe studentët që duan të shkëmbejnë njohuri ose të kryejnë praktika profesionale disa mujore në universitete dhe institucione në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Përveç Erasmus+, ekzistojnë edhe programe të tjera që u japin të rinjve mundësi reale për zhvillim, si pjesë e procesit të integrimit evropian. Këto iniciativa janë afruar edhe më shumë falë mbështetjes së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe zyrave të posaçme informuese të hapura në disa qytete, të cilat ndihmojnë të rinjtë të aplikojnë dhe të orientohen drejt këtyre programeve“, tha Zv. Ministrja e Kulturës, Turizmit dhe Rinisë Lira Pipa.
Programet e Bashkimit Europian po kthehen gjithnjë e më shumë në një derë të hapur për të rinjtë shqiptarë, duke u ofruar atyre jo vetëm arsim dhe mobilitet, por edhe mundësi punësimi, përfshirje sociale dhe zhvillim personal. Institucionet shtetërore, agjencitë publike dhe organizatat e shoqërisë civile po bashkëpunojnë për ta bërë këtë rrugë sa më të aksesueshme.
“Të rinjt që bashkëpunojnë përmes programeve të ndryshme, si Erasmus+, kanë mundësi shumë e mirë për shkëmbime studentore në vendet e Bashkimit Evropian, në universitete të njohura. Ata mund të studiojnë, të ndjekin praktika pune dhe më pas rikthehen në Shqipëri me më shumë dije dhe përvojë, që është një vlerë e shtuar për ta. Kështu, të rinjtë e shohin nga afër se si funksionon Bashkimi Evropian dhe çfarë mundësish u ofron ai qytetarëve të tij“, tha aktivistja Lorela Alia
Për një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian, përgatitja e të rinjve me aftësitë e duhura është thelbësore. Pas përfitimit nga programet e BE-së, ata krijojnë mundësi reale për punësim dhe zhvillim profesional, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare. Një nga programet më të fundit, Garancia Rinore, synon pikërisht këtë: lidhjen e të rinjve me tregun e punës dhe pajisjen e tyre me aftësi profesionale.
“Garancia Rinore është një program i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili ka nisur fazën e pilotimit në qarqet Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Agjencis Kombëtare të Rinisë është identifikimi i të rinjve, se ku ndodhen, në cilat zona dhe çfarë nevojash kanë, si edhe kuptimi i pritshmërive të tyre.Në momentin që të rinjtë regjistrohen në platformën e punësimit, deklarojnë nëse kanë apo jo arsimim ose aftësim profesional. Sipas kërkesës së tyre, institucioni ka detyrimin të ofrojë brenda tre muajve një ofertë konkrete.Për ata që nuk kanë shkollim profesional, ofrohet trajnim dhe aftësim. Ndërsa për të rinjtë që kanë tashmë një profesion, synimi është integrimi i drejtpërdrejtë në tregun e punës, përmes punësimit në sektorin privat ose sipas ofertave që do të ofrohen nga agjencia e punësimit“, tha Drejtorësha e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Sara Bodo.
Megjithatë, procesi i aplikimit mbetet sfidues për shumë të rinj. Shoqëria civile vëren se mungesa e informacionit, vështirësitë gjuhësore dhe burokracia shpesh i dekurajojnë ata që të aplikojnë.
“Ne duhet të luajmë një rol më aktiv me të rinjtë, duke i informuar dhe duke i trajnuar se si të aplikojnë në programe të ndryshme dhe si të përfitojnë fonde. Informacioni është i rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe përgatitja praktike për procesin e aplikimit. Shpesh, të rinjtë nuk i kanë ende aftësitë e nevojshme për të plotësuar të gjitha kriteret që kërkohen nga Bashkimi Evropian, ndaj mbështetja dhe orientimi janë thelbësore“, tha aktivistja
Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Rinisë pranon këto sfida, por thekson se po punohet konkretisht për t’i adresuar përmes pikave lokale të informimit, aktiviteteve në shkolla dhe universitete në rrethe, si dhe platformave online.|
Fokusi i këtyre programeve do të jetë veçanërisht tek të rinjtë që jetojnë në zonat e thella dhe tek ata që përballen me disavantazhe sociale apo ekonomike, përfshirë të rinjtë që janë të diskriminuar ose nuk kanë të njëjtat mundësi si bashkëmoshatarët e tyre. Ata do të jenë prioritet në politikat dhe ndërhyrjet që synojnë përfshirjen, barazinë dhe integrimin real në shoqëri dhe në tregun e punës“, tha Bodo.
Ndikimi i këtyre programeve reflektohet edhe në histori konkrete suksesi. Zëvendësministrja e Kulturës përmend raste të të rinjve që kanë nisur start-up-e dhe sot bashkëpunojnë me klientë ndërkombëtarë, falë rrjeteve të krijuara përmes programeve të Bashkimit Europian.
“Kanë nisur gjithashtu aplikime për start-up-e të ndryshme dhe hapje biznesesh, ku të rinjtë ndërveprojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe përfitojnë të ardhura të konsiderueshme për moshën dhe mundësitë që kanë. Kjo vjen falë krijimit të një rrjeti kontaktesh dhe shkëmbimeve që realizohen përmes programeve si Erasmus+ dhe Western Balkan Youth Window, si edhe programeve të ndryshme të vullnetarizmit, të cilat i ndihmojnë të rinjtë të zhvillojnë aftësi ndërvepruese dhe profesionale“, tha Pipa.
Këto programe po përgatisin të rinjtë shqiptarë për integrim real në tregun e punës, ndërsa afrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të hapë edhe më shumë rrugë e kanale, duke i kthyer këto mundësi në një standard të përditshëm për brezin e ri.
Gazetare: Rugova Dushnica
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



