Programi “Pas Shkollës”, hapen aplikimet në sistemin SMIP, interes i lartë në shkollat e juglindjes

Arsim | 32 minuta më parë

Në sistemin SMIP është hapur aplikimi për regjistrimin e nxënësve  për programin “Pas shkolle”. Interesi për këto programe mbetet i lartë edhe në juglindje të vendit. Në qarkun e Korçës janë përfshirë 35 shkolla. Në rajon, numri arrin në 120. Programet synojnë të krijojnë një mjedis të sigurt për nxënësit. Ata bëjnë detyrat dhe marrin pjesë në aktivitete krijuese.

“Nuk ka prind që të mos jetë i interesuar që fëmija të jetë deri diku i kontrolluar, por edhe të marrë e të zhvillojë ato talente të cilat nuk mund të zhvillohen në një orë mësimi. Nga klasa e parë deri në klasën e pestë, programi pas shkolle është të bëjmë detyrat e shtëpisë, plus art dhe zeje. Kurse nga klasa e gjashtë deri në klasën e 12-të janë programet e artit dhe zejes”, u shpreh Vinjola Rota, Drejtore e DRAP Korçë.

Për familjet ku të dy prindërit punojnë, këto programe janë një zgjidhje praktike. Fëmijët qëndrojnë në shkollë nën kujdesin e mësuesve.

“Kjo është një iniciativë shumë e mirëpritur për ne si prindër, sepse ata janë mësues profesionistë. Sado që ne mund t’ju ofrojmë nuk është e njëjta”, tha një prind.

Në programe angazhohen mësues dhe profesionistë të kualifikuar. Mund të aplikojnë edhe mësues të papunë, mësues në pension dhe persona të përzgjedhur përmes aplikimit.

“Ne kemi disa kategori që aplikojnë. Janë mësuesit që janë në sistem, mësuesit që janë në portal dhe janë të papunësuar, si dhe mësuesit që kanë dalë në pension. Është edhe një kategori e cila do të aplikojë me dosje. Të gjithë këta persona kanë marrë një certifikatë, e cila i lejon të zhvillojnë programet pas shkolle”, tha Rota.

Programet zhvillohen në pesë fusha, muzikë, kërcim, teatër, art pamor dhe zeje, ndërkohë që aktivitetet përshtaten sipas moshës së nxënësve. Ato përfshijnë detyrat, artet dhe zejet. Me zgjerimin e programeve, shkolla bëhet edhe një hapësirë për zhvillimin e aftësive dhe interesave të nxënësve.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme