Projektligji i ri, shkrihen dhomat ekzistuese të tregtisë, krijohet Dhoma Ekonomike Kombëtare

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përgatitur një projektligj të ri që synon të reformojë rrënjësisht mënyrën se si përfaqësohet sipërmarrja në Shqipëri. Nisma e re ligjore parashikon shfuqizimin e ligjit ekzistues të vitit 2006 për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, duke i hapur rrugë krijimit të një strukture të re të unifikuar: Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe Dhomave Sektoriale.
Sipas relacionit shpjegues që shoqëron projektaktin, ky ndryshim vjen si domosdoshmëri për t’i dhënë fund fragmentarizimit të sistemit aktual dhe mungesës së një strukture të centralizuar koordinuese.
“Projektligji synon të krijojë një strukturë të unifikuar përfaqësimi të subjekteve tregtare, të forcojë rolin e tyre në proceset e dialogut institucional dhe hartimit të politikave publike me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit,” theksohet në dokumentin zyrtar.
Struktura e re dhe statusi juridik
Arkitektura e re institucionale do ta njohë Dhomën Ekonomike Kombëtare si një person juridik të së drejtës publike. Nën ombrellën e saj do të funksionojnë Dhomat Sektoriale, të ndara sipas fushave të ndryshme të ekonomisë. Kjo qasje, sipas hartuesve, do të sigurojë një përfaqësim më të strukturuar të interesave të biznesit.
Relacioni nënvizon se reforma do të garantojë gjithashtu “përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj subjekteve tregtare dhe rritjen e transparencës e efikasitetit në ushtrimin e funksioneve të parashikuara me ligj.” Organet e reja drejtuese do të përfshijnë Asamblenë e Përgjithshme, Bordin Drejtues, Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm.
Faza tranzitore dhe kostoja financiare
Kalimi nga sistemi i vjetër i dhomave në atë të ri do të menaxhohet përmes një periudhe tranzitore, e cila do të drejtohet nga një Komision i Përkohshëm Teknik. Ky tranzicion parashikohet të kërkojë një buxhet fillestar nga shteti, pas së cilit institucioni do të kalojë në vetëfinancim.
“Kostoja paraprake e zbatimit të projektligjit vlerësohet në rreth 15.4 milionë lekë për periudhën tranzitore njëvjeçare,” sqarohet në raportin e vlerësimit financiar.
Këto fonde do të mbulojnë ngritjen e infrastrukturës bazë teknologjike, shpenzimet administrative dhe organizimin e zgjedhjeve të para të organeve drejtuese. Pas kësaj periudhe, Dhoma Ekonomike Kombëtare do të financojë veprimtarinë e saj plotësisht nga tarifat e regjistrimit, shërbimet e ofruara dhe veprimtaritë e tjera të lejuara, duke mos lënë asnjë barrë financiare të përhershme në Buxhetin e Shtetit.
Projektligji është vlerësuar në përputhje me detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, veçanërisht në drejtim të forcimit të dialogut me komunitetin e biznesit. Përpara miratimit final, dokumenti do të dërgohet për mendim dhe konsultim në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe te Bashkimi aktual i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





