Protesta para kuvendit, 11 të shoqëruar/Tensione dhe përplasje me policinë në disa zona të Tiranës

Aktualitet | 17 minuta më parë

11 persona u shoqëruan nga policia gjatë protestës përpara Kuvendit. Tubimi, i nisur në orën 10:00, u zhvendos në disa zona të kryeqytetit, duke sjellë bllokimin e rrugëve dhe përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Fillimisht, protestuesit tentuan t’i afroheshin ambienteve të Kuvendit, por nuk mundën të kalonin për shkak të kordonit të sigurisë. Më pas, protesta u zhvendos drejt Ministrisë së Brendshme, ku pati përplasje me policinë dhe u hodhën vezë e shishe uji në drejtim të efektivëve.

Tensionet vijuan edhe pranë Xhamisë së Namazgjas, ku protestuesit bllokuan qarkullimin dhe vendosën kosha mbeturinash në mes të rrugës. Policia u bëri thirrje disa herë të lirojnë rrugët, duke paralajmëruar se bllokimi i tyre përbën vepër penale, ndërsa forcat e rendit ndërhynë duke shoqëruar disa protestues.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u shpërndanë në disa drejtime. Protesta e sotme shënoi ditën e 110-të të tubimeve, ndërsa protestuesit deklaruan se do ta vijojnë aksionin e tyre, duke kërkuar ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gazetare: Lusi Pergjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme