Protesta para Parlamentit, 2 të arrestuar dhe 30 nën hetim për përplasjet me policinë
Policia ka proceduar 30 persona dhe ka vënë në pranga 2 të tjerë, pas tubimit të zhvilluar më 23 korrik pranë Parlamentit, ku disa prej pjesëmarrësve dyshohet se kanë hedhur sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë protestës në rrugën “George W. Bush”, pranë Parlamentit, u dëmtuan 6 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në pranga përfundoi O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, pasi akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “Kundërshtimin e punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditjen për shkak të detyrës”, “Prishjen e qetësisë publike”, “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe “Shkeljen e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.
Ndërkohë, 30 persona të tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia bëri me dije se gjatë kontrollit u sekuestruan edhe kapsolla, të cilat u gjetën në një qese plastike që mbahej nga shtetasja e arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për personat e përfshirë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




