Publikohet skema e kompensimit financiar për bizneset që punësojnë ushtarakë rezervistë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e kritereve dhe masës së kompensimit financiar për subjektet private gjatë periudhës kur punonjësit e tyre aktivizohen në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ky akt vjen në zbatim të ligjit nr. 125/2024 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist” dhe synon të garantojë mbrojtjen financiare të sipërmarrjeve dhe të punëmarrësve gjatë kryerjes së detyrës ushtarake.
Sipas vendimit, përfitues të kësaj skeme janë njësitë e biznesit, organizatat jofitimprurëse (OJF) si dhe personat e vetëpunësuar, punonjësit e të cilëve ose vetë ata aktivizohen si rezervistë.
Për të përfituar kompensimin, subjektet duhet të jenë të regjistruara rregullisht, të kenë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punëmarrësin dhe të kenë dhënë paraprakisht dakordësinë me shkrim për aktivizimin ushtarak të punonjësit të tyre.
Masa e kompensimit financiar dhe procedura e aplikimit
Mbulimi financiar përballohet tërësisht nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturohet sipas kategorisë së subjektit. Për njësitë e biznesit dhe OJF-të, shteti kompenson kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore (pjesa e punëdhënësit dhe punëmarrësit), tatimin mbi të ardhurat, si dhe diferencën nëse paga bruto ushtarake është më e ulët se paga që punonjësi merr në sektorin privat. Për të vetëpunësuarit kompensohen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe tatimi mbi të ardhurat.
Llogaritjet bëhen mbi pagën bruto të deklaruar në sistemin e-filing të Tatimeve (deklarimi ESIG 25) për periudhën përkatëse.
Procesi i administrimit do të kryhet nga Struktura e Vlerësimit të Dokumentacionit (SVD) pranë njësisë ushtarake përkatëse, e cila krijon dosjen personale me urdhrin e titullimit nga Shtabi i Përgjithshëm, vërtetimet nga e-Albania, kartën e identitetit dhe dokumentet tatimore. Pasi verifikohen ditët reale të aktivizimit, Ministria e Mbrojtjes kalon fondet përkatëse në llogaritë e subjekteve përfituese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



