Tabaku: Ekonomia shqiptare nuk prodhon më. Paketa e re fiskale dëmton shtresën e mesme

Ekonomi | 59 minuta më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi paketën e re fiskale të qeverisë, duke deklaruar se ajo nuk ofron vizion për zhvillimin ekonomik dhe nuk mbështet sektorët prodhues.

Në emisionin “Trialog”, në RTSH 1 HD ,Tabaku tha se masat e propozuara do të rëndojnë mbi shtresën e mesme, biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë, ndërsa ekonomia shqiptare, sipas saj, po mbështetet gjithnjë e më shumë te ndërtimi dhe jo te prodhimi.

Tabaku, u shpreh se protestat e fundit qytetare lidhen ngushtë edhe me problematikat ekonomike me të cilat po përballen shqiptarët.

“Problemi kryesor që ka sot Shqipëria është që megjithëse në letër ti mund të kesh rritje ekonomike, kjo rritje ekonomike nuk shkon te të gjitha shtresat, sepse mënyra se si shpërndahet buxheti në koncesione, në tendera, në partneritetet publike-private, shkon te një grup i vogël individësh. Dhe ky grup i vogël individësh nuk e shpërndan pasurinë në 95% të qytetarëve.”

Sipas saj, korrupsioni, emigracioni dhe rritja e kostos së jetesës janë çështje që prekin drejtpërdrejt buxhetin e familjeve shqiptare.

“Kur e pashë paketën mendova se ndoshta mund të ishte një përgjigje për shqetësimet ekonomike që kanë qytetarët. Por pas 10 vitesh kuptoj se kryefjala e çdo buxheti të kësaj qeverie ka qenë mungesa e vizionit ekonomik”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate tha se nuk arrin të identifikojë se cilët sektorë synon të mbështesë qeveria përmes paketës së re fiskale.

“Nuk e kuptoj dot cili sektor do të promovohet, cili sektor do të mbështetet dhe cilat politika do të stimulohen. Sot ekonomia shqiptare nuk prodhon më. Ekonomia shqiptare ka shteruar, është kthyer në një ekonomi të tullave dhe të llaçit. Është një ekonomi që vetëm ndërton”, u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se fasoneria, bujqësia dhe sektorët prodhues nuk përfitojnë nga masat e propozuara, ndonëse sipas saj janë ndër më të goditurit nga zhvillimet ekonomike të viteve të fundit.


“Me këtë buxhet fasonët nuk mbështeten, sektori prodhues nuk mbështetet, bujqësia nuk mbështetet. Nuk ka asnjë stimul për rritjen ekonomike dhe për një rritje që të shpërndahet për të gjithë shoqërinë”, tha ajo.

Duke komentuar uljen e TVSH-së për shportën bazë të ushqimeve, Tabaku tha se Partia Demokratike ka kërkuar prej vitesh një masë të tillë, por argumentoi se efekti i saj zbehet nga rritja e TVSH-së në 21% dhe përfshirja e bizneseve të vogla në këtë skemë.

“Ulja e TVSH-së në 6% është një masë që ne e kemi kërkuar prej vitesh. Por kur njëkohësisht rrit TVSH-në në 21% dhe fut biznesin e vogël në TVSH, efekti netohet. Kjo është vetë llogaria që qeveria ka bërë”, deklaroi Tabaku.

Ajo paralajmëroi se masat e reja do të rëndojnë veçanërisht mbi bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.

“Dyqanet e vogla të lagjeve dhe supermarketet e vogla do ta kenë shumë të vështirë të përballojnë TVSH-në 21%. Kjo do të sjellë mbyllje të bizneseve të vogla dhe përqendrim të tregut në pak operatorë të mëdhenj”, tha deputetja demokrate.

Sipas Tabakut, një tjetër problem mbetet mungesa e konkurrencës në treg.

“Sot çmimet e larta nuk vijnë vetëm nga taksat. Vijnë edhe nga tregjet e kapura dhe mungesa e konkurrencës. Janë dy elementë që kanë qenë në dorën e qeverisë”, u shpreh ajo.

Duke komentuar premtimin për uljen e kostos së karburantit, Tabaku tha se nuk kemi të bëjmë me heqje të një takse, por vetëm me zhvendosjen e saj.

“Nuk është heqje, është transferim. Taksa e qarkullimit nuk do të merret më te karburanti, por te makina. Qytetarët do ta paguajnë gjithsesi, vetëm se në një moment tjetër”, deklaroi ajo.

Në përfundim, Tabaku e cilësoi paketën fiskale si një goditje ndaj shtresës së mesme dhe sipërmarrjes së vogël.

“Kjo është një goditje në masë ndaj shtresës së mesme. Është një goditje për njerëzit e punës, për bizneset e vogla dhe për profesionistët e lirë. Vetëm vizion ekonomik nuk ka në këtë paketë”, përfundoi deputetja e Partisë Demokratike.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme