Protestat në Francë/Sulmohet me makinë banesa e kryebashkiakut, qindra të arrestuar

Dhe pse qeveria franceze ka vendosur forca sigurie dhe policinë në të gjithë vendin, trazirat vazhduan me një tjetër natë në Francë.
Agresorë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, mësynë me makinë në banesën e kryetarit të bashkisë të L’Ha-les-Roses në Val-de-Marne, një komunë në jug të Parisit si dhe i vunë flakën automjetit. Në momentin e sulmit në banesë ndodhej bashkëshortja dhe dy fëmijët e krybashkiakut, të cilët kur u përpoqën të dilnin jashtë u lënduan. Kryetari Vincent Jeanbrun e ka konsideruar sulmin një “tentativë për vrasje” ndaj familjes së tij në mes të trazirave të vazhdueshme në vend, sipas CNN.
Më shumë se 700 persona u arrestuan në të gjithë Francën gjatë natës, sipas një raporti të përkohshëm nga Ministria e Brendshme.
Po ashtu 45 oficerë policie dhe xhandarë janë lënduar gjatë natës, ndërsa 74 ndërtesa, duke përfshirë 26 stacione policie dhe xhandarësh janë dëmtuar dhe 577 automjete janë djegur.
Një natë më parë, më shumë se 1,300 njerëz u arrestuan dhe 2,560 zjarre u raportuan në rrugët publike.
Shumë prej të arrestuarve që nga fillimi i trazirave të martën janë të mitur, me një moshë mesatare 17 vjeç, sipas ministrit të Brendshëm Gérald Darmanin.
Presidenti Emmanuel Makron ka shtyrë një vizitë shtetërore që do të zhvillonte në Gjermani duke filluar nga kjo e diel, për të adresuar krizën më të rëndë të lidershipit të tij qëkur protestat e jelekëve të verdhë paralizuan vendin në vitin 2018.
Franca është tronditur nga një valë protestash pas vdekjes së Nahel Merzouk, një 17-vjeçari me origjinë algjeriane, i cili u qëllua nga një oficer policie pasi nuk iu bind urdhërit për të ndaluar automjetin të cilin po drejtonte.
Vdekja e të riut ka rindezur një debat mbi policimin në komunitetet e margjinalizuara të Francës dhe ka ngritur pikëpyetje nëse raca ishte një faktor në vdekjen e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




