Protestë kundër refugjatëve, aktivistët në Lezhë nuk duan që marrëveshja të zbatohet

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për refugjatët ngriti sërish në protestë qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Lezhë, të cilët u mblodhën në sheshin “Gjergj Kastrioti” përpara bashkisë së qytetit.
“Pse Porti i Shëngjinit? Ne nuk jemi as gjeografikisht pika më e afërt me Italinë, as pika më e afërt me vendet nga vijnë këta refugjatë. Autoritetet do të duhet të na jepnin një përgjigje,” u shpreh një protestuese.
“Kjo është protesta e gjithë qytetarëve të Lezhës dhe duam që kjo marrëveshje të mos zbatohet,” shtoi një tjetër qytetar.
“Unë nuk jam kundër mbajtjes së atyre njerëzve hallexhinj. Unë jam kundër mënyrës si është bërë marrëveshja,” u shpreh një protestues.
Pjesë e protestës ishte edhe ish-deputeti dhe ish-kryebashkiaku socialist i Lezhës, Gjok Jaku, sipas të cilit marrëveshja është një pabesi që i bëhet Lezhës.
“S’ka rëndësi sa është pjesëmarrja. Rëndësi ka që edhe tre-katër qytetarë të vetëdijshëm, të denjë, me integritet moral, por edhe me patriotizëm në shpirt të protestojnë çdo ditë ndaj kësaj pabesie që i është bërë Lezhës,” tha z. Jaku.
Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile qëndruan për rreth një orë në sheshin përpara bashkisë së qytetit, ndërsa paralajmëruan se protestat do të jenë të vazhdueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




