“Publikisht“ në RTSH/ Mungesa e marrëveshjes brenda PD-së, si po rrezikon opozita që vota të përçahet

Marrëveshje brenda PD apo qëndrim në pozicionet ku janë tani? Ky ka qenë thelbi i debateve në emisionin “Publikisht” në RTSH, me analistët në studio Preç Zogaj, Genc Gjokutaj, Mentor Kikia dhe Bledian Koka.
Sipas juristit, Genc Gjokutaj, bashkimi mes Berishës dhe Alibeajt është thuajse i pamundur, pasi Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë marrë tashmë vendimin për të mos bashkëpunuar me Bashën dhe Alibeajn. Sipas tij, PS e ka hedhur tashmë sherrin brenda PD-së dhe po përdor çdo lloj mjeti që të minimizojë votat e opozitës.
“Standardi i zgjedhjeve do jetë i ulët, pasi nuk do të ketë zgjedhje demokratike. Pa këta gjyqtarë, PD nuk do ishte në këtë situatë. Dihet kush e ka mazhorancën e mbështetjes në PD. Legjitimiteti i takon kush ka mbështetjen. Me logo, pa logo fushata është e njëjtë. Zgjedhjet e pjesshme lokale dëshmuan për një ulje të përqindjes së votave për shkak të përçarjes në PD. PL do garojë me PD në zgjedhje”- u shpreh Gjokutaj.
Por Kika ka replikuar me qëndrimet e Gjokutajt duke u shprehur se “në pozicionin e juristit ti s’mund të flasësh në këtë mënyrë, pasi nuk ka vlerë perceptimi yt për një ngjarje, por faktet dhe ligji.”
“Pavarësisht çfarë ndodh me Berishën dhe Bashën, të humbur janë demokratët. PS me fitoren në zgjedhjet lokale shtron rrugën për fitore në zgjedhjet parlamentare”- u shpreh Kikia.
Ndërsa sipas Zogajt, PD është parti e themeluar në bazë të lirisë së njerëzve, jo si hipotekë e Berishës.
“Me Ngjelën bëmë një dokument që quhej “Mocioni”. Një dokument historik, që e ka pranuar më vonë edhe Berisha, por që u sulmuam egërsisht. Me 14 maj do kemi një fotografi se si do jetë shpërndarja e votave mes palëve në PD. Kam mbështetur kandidatët unik. Formula e përqindjeve në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, mund të ishte një formulë shumë e mirë bashkimi. Alibeaj ka bërë hapa për bashkim. Berisha s’ka bërë asnjë hap. Sa për ato që thotë, Bashën e zgjodhi vetë. Do kishte qenë më mirë bashkëpunimi se çdo rrugë tjetër.”- u shpreh Zogaj.
Ndërsa sipas Kokës, Alibeaj s’ka pasur sinqeritet në negociatat e tij për bashkim.
“Basha është mnashtrues publik. PD dhe PL po punojnë që të ketë opozitë. PS po tenton të mos e lerë dhe Metën të hyj në zgjedhje. Bojkoti në zgjedhjet vendore të 2019, që u bë me vullnetin e Bashës, tani po bëhet me bashkëpunim me Bashën. Jemi në rrezikun të mos ketë opozitë në zgjedhje.”- komentoi Koka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


