Publikohen tarifat për të peshkuar në lumenj, dete dhe liqene të Shqipërisë, për amatorët dhe organizatat e peshkimit

Ekonomi | 4 vite më parë

Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave, kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët, ku përcaktohen tarifat për dhënien e autorizimit për peshkim çlodhës- argëtues, si dhe tarifat për shërbimet që ofrohen nga organizatat e peshkimit.

Urdhëri që mban firmat e 2 ministreve, Frida Karfica dhe Delina Ibrahimaj, përcakton se tarifa e autorizimit të peshkimit çlodhës- argëtues në lumenjë, dete, liqene për amatorët do të jetë 1 mijë lek të reja në vit.

Po e njëjta tarifë do të jetë edhe për peshkimin turistik me mjete lundrimi shqiptare dhe të huaja.

Kurse tarifat për shërbimet që organizata e peshkimit ofron për një mjet lundrues dhe për personat që hyjnë dhe shfrytëzojnë portin ose qendrën e peshkimit, do të jenë më të larta.

Për dhomat frigoriferike çmimi do të jetë 15 mijë lek në muaj, për mjetet e peshkimit nën 20 metra tarifa është 3 mijë lek në muaj, për ato midis 20- 25 m do të jetë 5 mijë lek në muaj, ndërsa mbi 25 metra do të jetë 8 mijë lek në muaj.

Ndërsa për persona që nuk janë pjesë e organizatave të peshkimit tarifat luhaten nga 4 mijë lek të reja në muaj, deri në 30 mijë lek në muaj.

Të ardhurat e gjeneruara nga tarifa e autorizimit të peshkimit çlodhës-argëtues do të derdhen në buxhetin e shtetit apo në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me autoritetin përgjegjës që lëshon autorizimin për peshkim.

Ndrësa të ardhurat e gjeneruara nga tarifat që organizata e peshkimit ofron për shërbimet për mjetet lundruese për anëtarët dhe personat që nuk janë anëtarë të organizatës do të përdoren në funksion të organizatës së peshkimit për investime në infrastrukturën e transferuar dhe/ose për rritjen e shërbimeve të ofruara ndaj anëtarëve, sipas qëllimit për të cilin kjo infrastrukturë është transferuar pasi të ketë marrë më parë miratim nga ministri përgjegjës për peshkimin.

Për zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe organizatat e peshkimit, ndërsa për tarifat e peshkimit amator ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore. /a.meta /rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme