Punonjësi i ambasadës britanike dyshohet si spiun i Rusisë

Autoritete gjermane arrestuan një punonjës të ambasadës së Britanisë së Madhe në Berlin nën dyshimet se ushtronte spiunazh për llogari të Rusisë. Prokurorët federalë gjermanë identifikuan personin e arrestuar me emrin David S. Ai dyshohet se ka u ka kaluar rusëve një dosje informacionesh të ndjeshme të paktën në një rast dhe në këmbim të kësaj ka përfituar një sasi të madhe parash.
Ai u arrestua në Potsdam, në periferi të Berlinit, ndërkohë që u kontrolluan edhe shtëpia dhe vendi i tij i punës në ambasadën britanike. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane tha se Berlini po e merrte çështjen “shumë seriozisht” dhe tha se spiunimi nga “një partner i ngushtë i aleancës në tokën gjermane është i papranueshëm”. Arrestimi ishte rezultat i një hetimi të përbashkët anglo-gjerman.
David S. ishte nën vëzhgim nga kundërspiunazhi gjerman prej muajsh, që pasi kishin shtuar dyshimet për aktivitetin e tij në Berlin, kanë njoftuar homologët e tyre të MI5 në Londër. Autoritetet britanike thanë për BBC se kanë nisur menjëherë bashkëpunimin me palën gjermane, ndërsa konfirmuan arrestimin e një shtetasi britanik të moshës 57-vjeçare në një operacion të përbashkët, ku ishte e përfshirë edhe struktura kundër terrorizmint, MET.
Faqja gjermane e lajmeve online Focus Online raporton se dokumentet e transmetuara kishin të bënin me kundërterrorizmin dhe se personi nuk mendohet të ketë imunitet diplomatik.
Berlini ishte epiqendra e spiunazhit të Luftës së Ftohtë me spiunë që punonin rrugët dhe rrugicat e tij në kërkim të sekreteve. Mbledhja e informacioneve të inteligjencës ka ndryshuar që nga ato ditë dhe shpesh përfshin spiunazhin kibernetik të kryer në distancë në ditët e sotme. Por, mënyrat e vjetra nuk janë zhdukur. Shërbimet spiune ende kërkojnë njerëz të cilët mund t’i rekrutojnë për të transmetuar informacione të ndjeshme dhe kjo i bën ambasadat një objektiv kryesor me Berlinin ende një epiqendër e 007-ave.
Dhe nuk janë vetëm diplomatët që kanë qasje të drejtpërdrejtë në sekretet për të cilët spiunët janë të interesuar. Stafi i punësuar në vend – duke filluar nga shoferët deri tek rojet e sigurisë e deri tek pastruesit – gjithashtu mund të synohet me para ose nxitje të tjera sepse mund të sigurojë qasje në ambiente për të vendosur pajisje përgjimi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




