Putin bisedë telefonike me Macron: Sulmet e Ukrainës në termocentralin e Zaporizhia do çojnë në katastrofë

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar homologun e tij francez, Emmanuel Macron, se granatimet, të cilat ai ia atribuoi Kievit, në zonën e termocentralit bërthamor të Zaporizhia në jug të Ukrainës, i cili është nën kontrollin rus, mund të rezultojë në shkatërrim të gjerë.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin për bombardimin e zonës që është shtëpia e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili u kap nga Rusia në mars, por deri më tani ka funksionuar me teknikë ukrainas. Vetëm dy nga gjashtë reaktorët janë funksionalë.

“Vladimir Putin, në veçanti, theksoi se granatimet sistematike të ushtrisë ukrainase të zonës ku ndodhet termocentrali bërthamor Zaporizhia ka krijuar rrezikun e një fatkeqësie në shkallë të gjerë që mund të çojë në ndotje radioaktive të një zone të madhe toke“, tha Kremlini në një deklaratë mbi bisedën telefonike të zhvilluar mes dy liderëve.

Kremlini tha se të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e dërgimit të një delegacioni nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur. Putin, sipas deklaratës së Kremlinit, konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për t’u ofruar inspektorëve të IAEA-s ndihmën e nevojshme.

Gjatë bisedës mes dy liderëve, Putin foli me Macron edhe për pengesat e vazhdueshme për furnizimin me ushqime dhe plehra ruse në tregjet botërore. Presidenca franceze tha se Macron “mbështeti dërgimin në terren sa më shpejt të jetë e mundur të një misioni ekspertësh të IAEA, sipas kushteve të dakorduara nga Ukraina dhe OKB”.

Të dy presidentët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet e tyre në ditët në vijim për këtë çështje pas bisedimeve të grupit teknik dhe para vendosjes së misionit, thuhet në një deklaratë për bisedën telefonike nga zyra e Macron.

Autoriteti i menaxhimit të termocentralit bërthamor të Ukrainës tha sot se dyshon se Moska ka në plan të shkëputë termocentralin bërthamor të Zaporizhia nga rrjeti i Ukrainës, një operacion kompleks që Kievi thotë se mund të sjellë katastrofë./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme