Putin ‘kërkon ndihmë’: Vullnetarë nga Lindja e Mesme mund të luftojnë për Rusinë në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u ka dhënë leje vullnetarëve nga Lindja e Mesme që të luftojnë për Rusinë në Ukrainën lindore.
“Nëse e shihni se ka njerëz që duan me dëshirën e tyre, jo për para, të vijnë për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në Donbas, atëherë ne duhet t’u japim atyre atë që duan dhe t’i ndihmojmë ata të arrijnë në zonën e konfliktit,” ai i tha Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu i tha atij se kishte 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme që ishin gati të vinin në Donbas.
Ka pasur spekulime se trupat qeveritare siriane mund të paguhen nga Rusia për të luftuar në Ukrainë. Forcat ajrore ruse dhe disa njësi të specializuara kanë luajtur një rol kyç në mbështetjen e presidentit sirian Bashar al-Assad, shkruan BBC.
Më herët qeveria ukrainase tha se po formonte një forcë vullnetarësh të huaj të gatshëm për ta ndihmuar atë të luftonte ushtrinë ruse.
Presidenti Putin i tha Këshillit se “sponsorët perëndimorë” po rekrutonin mercenarë për konfliktin në Ukrainë “haptas, duke shkelur të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare”.
Ai u pajtua gjithashtu me sugjerimin e Shoigut që armët e kapura perëndimore – veçanërisht raketat antitank Javelin dhe raketat anti-ajrore Stinger – mund t’u dorëzoheshin luftëtarëve pro-rusë në Donbas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




