Putin thyen heshtjen për aksidentin: Prigozhin bëri gabime të rënda, por arriti edhe rezultate

Botë | 3 vite më parë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka folur për herë të parë për rrëzimin e avionit të djeshëm në Rusi. Ai u ka dërguar ngushëllimet e tij familjeve të viktimave dhe e përshkruan themeluesin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, si një biznesmen të talentuar.

Nëpërmjet një fjalimi televiziv, Putin tha se hetuesit do të shqyrtojnë se çfarë ndodhi me avionin, por kjo do të marrë kohë. Ai tha se i është thënë të enjten në mëngjes për rrëzimin e avionit që ndodhi të mërkurën.

Putin tha gjithashtu se “me sa di unë”, Prigozhin “vetëm dje [të mërkurën] është kthyer nga Afrika, ku takoi disa zyrtarë atje”.

Ditët e fundit, shefi i Wagner besohet të ketë qenë i pranishëm në Afrikën Perëndimore, ku analistët perëndimorë kanë frikë se grupi po kërkonte të zgjeronte shtrirjen e tij në vende të tjera, duke përfshirë Nigerin, ku sapo ka ndodhur një grusht shteti.

Wagner është një shtyllë kyçe e politikës së jashtme ruse, me forcat e saj që ndihmojnë për të mbështetur qeveritë në Siri, Mali, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Libi, në këmbim të të drejtave fitimprurëse të minierave.

“Së pari dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e të gjitha viktimave, pasi kjo është një tragjedi. Do të doja të theksoja se këta njerëz kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kauzën tonë të përbashkët në luftën kundër regjimit neonazist”,- tha Putin, duke iu referuar luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Unë e njoh Prigozhin për një kohë të gjatë, që nga fillimi i viteve 1990,”- tha Putin në fjalimin e tij televiziv.

Në një referencë të dukshme për kryengritjen e dështuar të Wagner-it në qershor, Putin theksoi: “Prigozhin ishte një person me një fat të ndërlikuar. Ai bëri gabime të rënda në jetë, por gjithashtu kërkoi të arrinte edhe rezultatet e nevojshme”. 

BBC/ CNN

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme