Putin: U ofrova trupave Wagner opsionin për të qëndruar si njësi e vetme

Botë | 3 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin tha se i ka ofruar kompanisë ushtarake private Wagner, opsionin për të vazhduar që të shërbejë si një njësi e vetme nën të njëjtin komandant edhe pas rebelimit të tyre jetëshkurtër. Disa nga mercenarët u shfaqën të premten në Bjellorusi, ndoshta duke paralajmëruar zhvendosjen e grupit atje.

Komentet e Putinit dukej se pasqyronin përpjekjet e tij për të siguruar besnikërinë e mercenarëve të Wagner, pasi janë disa nga forcat më të afta ruse në Ukrainë, edhe pas revoltës së shkurtër të grupit muajin e kaluar që përbënte kërcënimin më serioz për sundimin e tij 23-vjeçar.

Fati i shefit të Ëagner-it, Yevgeny Prigozhin, mbetet ende i paqartë që nga rebelimi i armatosur i 23-24 qershorit.

Në ushtrinë ruse janë shfaqur çarje të reja teksa lufta po kalon muajin e saj të 17-të dhe Ukraina po bën një kundërsulm kundër forcave pushtuese.

Në komentet e botuara të premten në të përditshmen e biznesit Kommersant, Putin për herë të parë përshkroi një ngjarje në Kremlin, ku morën pjesë 35 komandantë të Wagner, përfshirë Prigozhin, më 29 qershor, pesë ditë pas rebelimit. 

Ai tha se vlerësoi përpjekjet e tyre në Ukrainë, por u shpreh i dëshpëruar për përfshirjen e tyre në kryengritje, të cilën ai më parë e denoncoi si një akt tradhtie. Ai u ofroi atyre alternativa për shërbimin e ardhshëm ushtarak.

Putin i tha Kommersant se një opsion ishte që ta shihte Wagner-in që të mbante të njëjtin komandant që ka udhëhequr ushtrinë private në Ukrainë për 16 muaj. 

Komandanti, Andrei Troshev, është një oficer ushtarak në pension, i cili ka luajtur një rol udhëheqës në Wagner, që nga krijimi i tij në 2014, duke u përballur edhe me sanksionet e Bashkimit Evropian për rolin e tij në Siri, si drejtor ekzekutiv i grupit.

Putin tha se shumë trupa Wagner e miratuan me kokë propozimin, por Prigozhin, i cili ishte ulur përpara dhe nuk e pa reagimin e tyre, e refuzoi shpejt atë, duke u përgjigjur se “djemtë nuk do të pajtohen me një vendim të tillë”.

Putini nuk tha asgjë për rolin e Prigozhin.

Putin ka thënë më parë se trupat e Wagner-it duhej të zgjidhnin nëse do të nënshkruanin kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, ose do të transferoheshin në Bjellorusi, ose do të tërhiqeshin nga shërbimi. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme