Putin vizitë në Ukrainë, takon forcat ushtarake në rajonet e pushtuara

Botë | 4 vite më parë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka udhëtuar në rajonin e Khersonit në Ukrainë ku u takua me personelin ushtarak të dislokuar tashmë prej muajsh në këtë zonë.

Sipas të dhënave nga zyra e shtypit në Kremlin, Putin është takuar me disa drejtues të lartë të ushtrisë nga të cilët është informuar në lidhje me operacionin ushtarak në Ukrainë.

Vizita e Putin në Kherson, një rajon i zaptuar nga rusët, vjen disa orë pas deklaratës së ministrit të Jashtëm, Lavrov i cili gjatë një vizite në Brazil u shpreh se Rusia është pro përfundimit sa më të shpejt të luftës në Ukrainë, mjafton që Perëndimi dhe Ukrainë të njihte realitetin e ri të terren.

Ndërkohë, forcat ruse kanë përdorur avionë për të kryer sulme të reja ndaj pozicioneve ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase këtë të martë. Ky njoftim vjen teksa është raportuar për bombardime në rajonin e Luhanskut, ku janë vrarë disa civilë dhe ka pasur dëme të mëdha në infrastrukturë, kanë thënë zyrtarët rajonalë.

Forcat ruse kanë përdorur aviacionin operacional-taktik dhe sulmues në përpjekje për të përparuar në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. 

Beteja disamujore për Bahmutin është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet se kanë pësuar humbje të mëdha. Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai po përgatitet të takohet gjatë javës me Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Zelensky tha se ka zhvilluar “bisedime përgatitore” para takimit të 21 prillit të grupit që përbëhet prej dhjetëra shteteve që i kanë ofruar armë Kievit.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme