Qetësi për pushuesit, hyjnë në fuqi kufijtë e rinj të zhurmës për bizneset në bregdet, Lamallari: Hap i domosdoshëm për një sezon turistik të qetë
Të gjitha bizneset që ofrojnë shërbime në zonat bregdetare duhet të zbatojnë limitet e reja për nivelin e zhurmave.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ishte në Lezhë, ku prezantoi pikat kyçe e ku tha se, kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të garantuar qetësinë e pushuesve që frekuentojnë plazhet gjatë sezonit turistik.
“Ato bare, restorante, lokale dhe klube nate, të cilat veprojnë nga ora 20:00 deri në orën 24:00. Niveli i lejuar i zhurmës është 45 dB në mjediset publike, ndërsa për fashën orare nga ora 11:00 deri në 20:00 do të jetë 65 dB. Ky udhëzim, që ne kemi rishikuar, është bërë në përputhje të plotë me rekomandimet për nivelet e lejuara të zhurmës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha Lamallari.
Për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu udhëzimi i rishikuar midis disa dikastereve dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka sjellë rritje të rendit dhe sigurisë publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në një sezon turistik të suksesshëm.
“Jam shumë i kënaqur me VKM-në që ka dalë për zhurmat. Është një nga plagët që ne kemi në bregdet dhe, në fund të fundit, duhet të vendoset një standard, një standard që kërkohet nga pushuesit dhe ne duhet t’u shërbejmë atyre. Kjo është një impuls akoma më i mirë për një sezon më të sigurt dhe më të suksesshëm”, tha Ndreu.
Gjatë vizitës në Lezhë, ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ishin në bashkinë e Lezhës, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe rritja e efikasitetit të institucioneve për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt për të gjithë pushuesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



