“Qeveria do marrë hua 520 milionë euro”, Meta: Skandal, Rilindja do financojë korrupsionin

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për media, ngriti një sërë akuzash ndaj qeverisë, sipas së cilit qeveria kërkon hua 520 milionë euro, duke fundosur qytetarët shqiptarë dhe duke favorizuar klanin e tij mafioz. Meta paralajmëron qytetarët shqiptarë se viti 2023 do të jetë mjaft i vështirë sa i përket ekonomisë së qytetarëve shqiptarë.
“Dua të shpreh shqetësimin se qeveria do të dalë për herë të gjashtë në tregjet e kapitalit për të emetuar një Eurobond dhe ka përzgjedhur konsulentin ligjor për të udhëhequr këtë transaksion.
Pra, qeveria do të kërkojë sërish 500 milionë euro të paktën, në kushtet kur si pasojë e rritjes së çmimeve qeveria arkëtoi 520 milionë USD, dhe ndërkohë që Shqipëria emetoi një Eurobond prej 650 milion euro në nëntor të vitit 2021, që e bën të dyshimtë huamarrja prej 500 milion euro, që e çon borxhin publik nga 107% në vlera akoma edhe më të larta e të pakonterollueshme.
Përsa kohë Qeveria ka arkëtuar 520 milion dollarë nga rritja e çmimeve që kanë paguar qytetarët shqiptarë, ndërkohë që çmimet në treg nuk janë ulur, atëherë përse merren edhe 500 milion euro hua dhe për çfarë?”, tha Meta teksa drejtoi një thirrje kundrejt Kuvendit dhe institucioneve financiare të huaja dhe vendase, për të bërë sa më parë një vlerësim real dhe transparent të borxhit publik duke përfshirë të gjitha detyrimet aktuale dhe ato të pritshme të Republikës së Shqipërisë.
Pyetur më tej mbi largimin e Agron Çelës nga Partia e Lirisë drejt PS, Meta deklaroi se asgjë nuk e shpërqëndron nga fitorja e 14 Majit.
“Askush nuk na shpërqëndron nga fitorja që pritet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe anembanë Shqipërisë. Për Shkodrën, Rilindja do ketë 0 bashki dhe 0 mundësi për të njollosur Shkodrën. E ka shndërruar Shkodrën në një fshat të braktisur, i ka hequr shërbimet, drejtporitë. Mori përgjigjen më 6 mars dhe do e marrë edhe më të fortë më 14 maj”, tha Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




