Qeveria e re greke merr votëbesim nga Parlamenti, Mitsotakis: Vendi ka kaluar në epokën e ndryshimeve të mëdha

Botë | 3 vite më parë

Qeveria e re greke ka marrë votëbesimin nga shumica e  Kuvendit, pas përfundimit të procesit treditor të prezantimit të programit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Qeveria e re mori 158 votat pozitive të deputetëve të Demokracisë së Re, ndërsa Kryeministri grek në mbyllje të debatit treditor bëri të ditur se në fillim të javës do të hidhet për konsultim publik një projektligj, i cili me një nen do të heqë të gjitha pengesat për votën e emigrantëve.

“Të gjithë bashkëqytetarët tanë që janë të regjistruar në listat zgjedhore do të mund të marrin pjesë në procesin zgjedhor nga kudo që jetojnë”, theksoi ai dhe shprehu shpresën që projektligji të kalojë unanimisht në Kuvend.

Në fjalën e tij, Kyriakos Mitsotakis tha se zgjedhjet treguan se Greqia ka kaluar në një epokë tjetër dhe ka uruar një konsensus më të madh nga partitë. Megjithatë, ai sqaroi se qeveria në çdo rast do të vazhdojë me ndryshimet dhe reformat për të cilat qytetarët votuan atë.

“Greqia ka kaluar në epokën e ndryshimeve të mëdha dhe qofshin ato të shoqëruara me pëlqime të mëdha. Në çdo rast, mandati që ka marrë qeveria greke është të shkojë përpara dhe të zbatojë këto ndryshime të mëdha”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme