Qeveria rrit mbështetjen financiare për Forcat e Armatosura

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.
Rreth 6000 efektivë do të përfitojnë nga ky vendim; 2500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën.
Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si: forcat speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia Cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.
– Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi, do të variojë deri në 100.000 lek mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë.
– Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lek në muaj për rreth 150 ushtarakë.
– Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lek në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë.
Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.
Prej vitit 2022 pagat e efektivëve të FA kanë pësuar rritjen më të madhe në histori, prej gati 40%.
Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria janë të angazhuara të investojnë që trajtimi financiar i efektivëve të FA të shtohet çdo vit, për t’i përafruar me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO-s, duke e konsideruar njëkohësisht një investim për sigurinë kombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




