Qeveria shpall përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, shkrihet Bordi i Transparencës

Ekonomi | 3 vite më parë

Qeveria shkrin Bordin e Transparencës, lidhur me kufizimet e përkohshme të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e të mërkurës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, si dhe të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka shpallur përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.

Ky vendim shfuqizon tashmë Aktin Normativ, i cili doli me 12 mars 2022, me firmë të kryeministrit Edi Rama, Akt i cili u kundërshtua nga opozita, e cila e çoi edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Çfarë parashikonte situata e veçantë

Situatë e veçantë, në kuptimin e Aktit Normativ, ishin të gjitha ato situata të cilat krijonin një situatë emergjente kur tregu hidrokarbur karakterizohej nga reduktimi i përshpejtuar deri në mungesë i furnizimit me naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre.

Brenda këtij koncepti ishte dhe rritja e ndjeshme e çmimit të tyre në treg; zvogëlimi në mënyrë të ndjeshme i importeve mesatare të naftës/gazit dhe nënprodukteve të tij, në krahasim me importet mesatare mujore të vitit kalendarik pararendës, për shkak të mungesave në tregun ndërkombëtar; zvogëlimi në mënyrë të argumentuar në një shkalle të tillë që pasojat e pafavorshme të shkaktuara nga kjo situatë nuk mund të shmangen a të parandalohen pa përcaktimin e masave në përputhje me këtë akt; çdo situatë tjetër e krijuar në tregun ndërkombëtar, e cila ka sjellë deformime në tregun vendas.

Situata e veçantë e shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në rastin e situatave të veçanta, Akti Normativ parashikoi ngritjen dhe funksionimin e Bordit të Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit.

Bordi kishte në përbërje:

a) ministrin përgjegjës për ekonominë, në cilësinë e kryetarit;

b) ministrin përgjegjës për hidrokarburet;

c) Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve;

ç) Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave;

d) 5 përfaqësues nga shoqëritë e hidrokarbureve, ndër të cilët 3 përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe 2 përfaqësues të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve;

dh) 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, në nivel drejtuesi;

e) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, në nivel drejtuesi të lartë.

Bordi mund të ftonte të marrin pjesë në mbledhjet e tij edhe përfaqësues të tjerë nga institucione shtetërore, ekspertë të fushës apo grupe interesi. Bordi i merrte vendimet me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij.

Opozita kundër Bordit

Pak muaj më parë 28 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i’u drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve.

Sipas deputetëve të PD-së, Bordi nuk kishte vënë në plan të parë interesat e qytetarëve, por interesat e oligarkëve dhe se me Bordin, qeveria cënonte lirinë ekonomike, konkurrencën në treg.

/rtsh.al/ a.meta/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme